Qasja e Policisë së Kosovës ndaj bashkësisë (komunitetit)
Mesazhi
Prej themelimit të saj, Policia e Kosovës (PK), e ndihmuar nga Policia e Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-P), duke i zotuar dhe aplikuar metodat e duhura për menaxhimin e suksesshëm të rendit dhe sigurisë publike, luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë për qytetarët, i`u ka qasur edhe modelimit të një koncepti adekuat për rrethanat e vendit të policimit në komunitet, përkatësisht, gjetjes së mënyrës më të mirë të krijimit të besimit të qytetarëve dhe thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Përpos angazhimeve konkrete në aspektin e sigurisë së vendit, PK me kohë, i ka ndërmarrë edhe aktivitetet e nevojshme për përshtatje dhe zbatim të kompetencave sipas rrethanave gjegjëse gjatë fazave të caktuara të ndërtimit të deritanishëm të shoqërisë, gjithnjë, duke u bazuar në ligj.
Policia e Kosovës, si pjesë përbërëse, dhe kryesuese e Grupit Drejtues për veprimet policore të bazuara në komunitet, grup ky, ku marrin pjesë edhe anëtarë nga institucionet lokale e qendrore të vendit dhe të pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare, si dhe shoqërisë civile, është udhërrëfyes i denjë i angazhimeve tona të përditshme në përpjekjet e krijimit të kushteve për ngritjen e ndjenjës së sigurisë së të gjitha komuniteteve, pa dallim.
Të vetëdijshëm për nevojën e shtimit të përpjekjeve permanente në këtë drejtim, Departamenti për çështje të komunitetit, ka qëllimin krucial të bashkërendimit të angazhimeve të forumeve tjera ekzistuese për sigurinë e komunitetit, siç janë: këshillat komunal për siguri të bashkësive (KKSB), komitetet lokale për siguri publike (KLSP) dhe ekipet vepruese për siguri të bashkësive (EVSB), të cilat përherë merren me brengat e komunitetit në fushën e sigurisë dhe të mirëqenies së tij.
Departamenti për çështje të komunitetit është organ ekzekutiv brenda Policisë së Kosovës për të gjitha çështjet që ndikojnë në sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit në përgjithësi dhe marrëdhënieve polici-komunitet në veçanti. Ka mandatin e ndërlidhjes me njësitë dhe koordinatorët e njësive të policisë në komunitet, departamentet tjera policore dhe institucionet qendrore e lokale qeveritare, si dhe autoritetin për kryesimin e Grupit drejtues për veprimet policore të bazuara në komunitet. Departamenti krijon linjat e veprimit kah segmentet e ndryshme shoqërore dhe relacionet e privilegjuara me forumet për siguri të komunitetit, me liderët e cilitdo nivel, si dhe pikat e kontaktit lidhur me komunitetet minoritare.
Posaçërisht duhet potencuar ndërtimin e një strukture të re të njësive policore të nivelit lokal, e cila tashmë është e shtrirë në më se 30 lokalitete etnikisht të pastra apo qenësisht të përziera anembanë vendit, e cila konsiston në themelimin e nënstacioneve policore, zyrave të policëve të fshatit apo zyrës së raportimit, me qëllimin themelor të angazhimit të përbashkët me komunitetin lokal në zgjidhjen e problemeve të identifikuara dhe shërbimit ndaj tij.
Të gjitha këto angazhime permanente janë ndërmarrë e do të vazhdojnë të ndërmerren për arsye të vetëdijes sonë se funksionimi i policisë në shoqëritë multietnike varet nga ndikimet e pengimet të secilit komunitet veç e veç, për zhvillimin e gjithmbarshëm shoqërorë e po ashtu edhe për zhvillimin e sektorit të sigurisë në përgjithësi.
Për të mos u ngadalësuar një zhvillim i dukshëm i deritanishëm i shoqërisë sonë, ne mendojmë se duhet vazhduar me oferta partneriteti brenda sektorit të sigurisë, pasi që paraprakisht duhet punuar në qartësimin e perceptimit për sigurinë te të gjitha komunitetet, apo te disa pjesëtarë të tyre.
Departamenti për çështje të komunitetit vepron në emër të Asitentit të Zëvendëskomisarit për Operativë (Ndihmësdrejtori i përgjithshëm për operativë) për të ndihmuar në krijimin e partneritetit të plotë përmes besimit, mirëkuptimit, shkëmbimit të njohurive dhe mobilizimit efektiv të komunitetit për të mbajtur sigurinë në komunitete të ndryshme në Kosovë.
Përmes kësaj PK dëshmon vigjilencën ndaj komuniteteve të cilave u shërben, dhe në këtë pikëpamje, përmes .Departamenti për çështje të komunitetit realizohet një proces efikas konsultativ me komunitete të ndryshme. Për më tepër, partneriteti i frytshëm ndërmjet PK dhe komuniteteve të ndryshme shpie në përfundime më të suksesshme në identifikimin, prioritetizimin dhe zgjidhjen e çështjeve dhe brengave të komunitetit si dhe, së fundi, në përmirësimin e sigurisë së komuniteteve dhe cilësisë së jetës së tyre.
Synimet e Departamentit për çështje të komunitetit bazohen në tri parime kryesore:
1. Të qenit proaktiv në marrëdhënie me komunitetin, parandalimin e krimit, edukimin dhe iniciativat e komunitetit;
2. Të vepruarit si burim ndaj policisë dhe komunitetit, dhe
3. Të zhvilluarit e një vizioni strategjik afatgjatë përmes ndërtimit të njohurive, edukimit, tolerancës dhe mirëkuptimit.
Filozofia dhe strategjia e veprimeve policore në komunitet kërkon si nga policia ashtu edhe nga komuniteti një angazhim të madh në drejtim të arritjes së mirëbesimit si përkushtim për të jetësuar ndryshimet.
Ky është një proces që kërkon ndërmarrjen e veprimeve të njëkohësishme në nivele të shumëfishta për të shëndërruar filozofin në veprim, duke ju përmbajtur motos Përkushtimi i secilit për sigurinë e të gjithëve, për ngritjen e bashkëpunimit me partnerët, siç janë:
- Grupi drejtues për veprimet policore të bazuara në komunitet;
- këshillat komunal për siguri të bashkësive;
- komitetet lokale për siguri publike;
- ekipet vepruese për siguri të bashkësive;
- strukturat e institucioneve qendrore e lokale qeveritare;
- strukturat e misioneve të pranisë civile/ushtarake ndërkombëtare;
- liderët e komuniteteve;
- organizatat joqeveritare;
- mediat;
- departamentet policore;
-
njësitë dhe koordinatorët e njësive të policisë në komunitet.
Mu për këtë, forumet e sigurisë së komunitetit në Kosovë kanë për synim krijimin e një hapësire të sigurt dhe besimit të dyanshëm në mes të policisë dhe komunitetit, gjatë veprimit të tyre brenda niveleve organizative:
Niveli 1: përfaqësues nga Qeveria, EULEX, PK, KFOR, OSBE, OJQ-të.
- GD VPBK (Grupi drejtues për veprime policore të bazuara në komunitet).
Niveli 2: kryetarët e komunave, zyrtarët tjerë, përfaqësues tjerë të zgjedhur, udhëheqës fetar, komandantë të stacioneve policore, KFOR, EULEX dhe OSBE.
-KKSB (këshillat komunal për siguri të bashkësive).
Niveli 3: udhëheqës të fshatit, anëtarë të komiteteve lokale, zyrtarët policor, përfaqësues nga OJQ-të, rinia.
- EVSB (ekipet vepruese për siguri të bashkësive).
- KLSP (komitetet lokale për siguri publike).
Ilustrimet e aktiviteteve rutinë dhe projekteve të realizuara nga Departamenti për çështje të komunitetit:
DÇK-ja aktualisht kryeson punën e Grupit Drejtues për Veprimet Policore të Bazuara në Komunitet (GD VPBK) dhe mbanë takime të rregullta mujore, të cilat mbështesin strategjinë dhe projektet e forumeve tjera të sigurisë në komunitet.
GD VPBK është organ mbikëqyrës, koordinues dhe mbështetës për aktivitetet dhe iniciativat e veprimit policor të bazuar në komunitet, parandalimit të krimit dhe sigurisë së komunitetit në Kosovë.
GD VPBK i rekomandon anëtarëve të vet, të cilët kanë autoritetin të vendosin politikën e cila do të zbatohet në tërë Kosovën në nivelin strategjik dhe aprovojnë veprimet dhe iniciativat në rolet e tyre organizative.
GD VPBK aprovon dhe mbështetë zbatimin dhe monitorimin e politikave dhe veprimeve të bazuara në marrëveshjen e anëtarëve të tij.
Synim kryesor i GD VPBK është të ndihmoj veprimin policor të bazuar në komunitet në tërë Kosovën dhe politikat dhe praktikat e sigurisë së komunitetit, përmes rekomandimeve, veprimeve, koordinimit të aktiviteteve dhe përdorimit të resurseve.
Angazhimet në realizimin e projektit të ngritjes së kapaciteteve të KKSB-ve, gjatë muajve mars e prill të vitit 2008, konsistojnë në punën e përbashkët me ICITAP-in, OSBE-në dhe UNDP-në, në ligjërimet e përmbajtjeve për siguri të komunitetit për një vistër pjesëmarrësish të nivelit komunal nëpër të gjitha rajonet e vendit.
Vizitat e zhvilluar në nënstacione policore, zyra të policëve të fshatit dhe zyrës së raportimit, kanë pasur për qëllim evidentimin dhe raportimin e çështjeve në lidhje me infrastrukturën, veprimtarinë e përgjithshme, organizimin dhe menaxhimin e tyre. Këto vizita janë realizuar gjatë muajve maj e qershor të vitit 2008, duke u bazuar në metodat e intervistimit, vëzhgimit dhe dokumentimit, të aplikuara gjatë punës.
Duke u mbështetur në kërkesën e arsyeshme të komunitetit të bashkësisë së fshatrave Lipë, Zhazhë dhe Boletin, pas vlerësimit të kritereve të duhura, nën udhëheqjen e Departamentit për çështje të komunitetit, në bashkëpunim me të gjithë faktorët tjerë relevant dhe pas përfundimeve të të gjitha aktiviteteve paraprake, me 01 gusht të vitit 2008, ka filluar punën nënstacioni policor në Lipë.
Gjatë muajve shtator e tetor të vitit 2008, është realizuar projekti për mbështetjen e KLSP-ve, me qëllimin e njohjes për së afërmi me shkallën e funksionimit të tyre dhe evidentimin e problemeve me të cilat ballafaqohen, me që rast është konstatuar se bashkëpunimi i tyre dhe komunitetit me nënstacionet policore është mjaft i mirë dhe se të gjitha këto këshilla, gjatë veprimit, anojnë në përmirësimin e kushteve të përbashkëta infrastrukturale.


Duke qenë të vetëdijshëm se për kohën e ndërtimit dhe konsolidimit tonë në kuptimin infrastruktural, të personelit dhe operativitetit, organizimi dhe funksionimi i policive të avancuara është begatuar me inovacione në të gjitha fushat e veprimit.
Qasjet e reja, kanë nënkuptuar edhe metoda të reja në punën e policisë, e prandaj edhe filozofia e punës policore ka pësuar ndryshime radikale, për çka, edhe ne në PK kemi konsideratë.
Me qëllim të saktësimit të përmbajtjes së tendencave synuese brenda punës sonë, po i cekim disa postulate themelore të cilat paraqiten si eksponent përcjellës të aktivitetit proaktiv të njësive të PK të bazuara në komunitet:
Veprimi policor ka plotësuar në mënyre primare rolin e aktivitetit mbrojtës, zbulues dhe sqarues me të ashtuquajturin veprim proaktiv (preventiv, parandalues);
Orientimi i dikurshëm kah kriminaliteti është zgjeruar në aspektin më të gjerë të zgjidhjes të problemeve në bashkësi të cilat direkt ose indirekt prekin gjendjen dhe ndjenjën e sigurisë brenda vetvetes;
Policia nuk është më organ i mbyllur dhe i kushton kujdes të madh bashkëpunimit me qytetarët, institucionet e ndryshme dhe subjektet e shoqërisë;
Veprimtaria preventive në polici nuk duron programe dhe aktivitete të unifikuara dhe nënkupton veprimin kreativ dhe tërësisht të rinovuar në çdo projekt të ardhshëm në parandalimin e kriminalitetit në korniza të një bashkësie lokale ose më shumë sosh.
Postulatet e posapërmendura, besojmë ne, janë qenësore për arritjen praktike të policimit në komunitet apo veprimit policor me orientim në komunitet si filozofi dhe strategji e organizimit e cila mundëson që policia dhe komuniteti të punojnë së bashku në rrugë të reja për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimit të kualitetit të jetës për të gjithë në komunitet.
Me moton angazhuese Policia është populli dhe populli është policia, njësitë e policisë të bazuara në komunitet, janë të strukturuara në nivelet organizative të
Drejtorisë së përgjithshme të policisë, drejtorive rajonale policore dhe stacioneve policore.
Ilustrimet e aktiviteteve rutinë dhe projekteve të realizuara nga
njësitë e policisë të bazuara në komunitet:
Parandalimi i delikuencës së të miturve dhe fëmijët që kërkojnë lëmoshë:
Vëzhgimi i sjelljeve të të miturve që kanë qenë të involvuar në aktivitete anti-shoqërore apo në sjellje devijante. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është që këta fëmijë të referohen në Qendrat për punë sociale (QPS) në aspektin e ndimës sociale dhe në Organizatat joqeveritare (OJQ) të ndryshme, që posedojnë programe të rehabilitimit socio-shoqëror, si dhe mbrojtja e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë, sepse ushtrimi i kësaj dukurie ndikon negativisht në zhvillimin e shëndetit të tyre dhe arsimimin e tyre.
Ndihma familjeve të varfëra:


Identifikimi i familjeve të varfëra dhe adresimi i problemeve të të njëjtëve duke u bazuar në shkaktarët e shumëllojshëm të rrethanave ekzistuese duke përfshirë në proqes institucionet dhe organizatat gjegjëse joqeveritare.
Projektet mbi aktivitetet multietnike:
Kampingjet multietnike dhe organizimi i garave sportive multietnike. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është ofrimi dhe shoqërimi, avancimi i komunikimit në mes të fëmijëve të të gjitha komuniteteve.


Ligjërimet në shkolla:
Në aspektin e edukimit për ligjet e trafikut dhe të vetëdijësimit për pasojat e drogave si dhe për dukurit tjera negative, ligjërimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë të shpeshta. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është lehtësimi i stafit mësimëdhënës për lëmitë në fjalë dhe edukimi i të rinjëve për çështjet që do ti përcjellin gjatë tërë jetës.
Garat me biçikleta:
Qëllimi i organizimit të këtyre aktiviteteve ka domethënie shumëdimenzionale, qenësore për të rinjët, siç janë: zhvillimi në aftësimin për ngasje, edukimi për rregullat e trafikut, njohuritë e reja dhe shoqërimi në mes veti.


Departamenti për Çështje të Komunitetit
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës
Tel: 038 50 80/ 1297
e-posta: dck@kosovopolice.com