Drejtoria Rajonale e Policisë - Prizren


Zona e përgjegjësisë së kësaj drejtorie ka sipërfaqe prej 1.706 km2 me një popullatë prej rreth 277.007 banorë me përkatësi etnike të përzier shqiptarë, turq, boshnjakë, serbë: komuniteti RAE, goranë etj. Kjo masë e popullatës është e shpërndarë në katër komuna që mbulojnë në total 152 fshatra. Në kuadër të DRP – Prizren, janë: 

 

I. STACIONET POLICORE:
o Prizren, 
o Suharekë, 
o Dragash dhe
o Mamushë.
II. NËNSTACIONET POLICORE 
o Sreskë, 
o Zhur, 
o Mushtisht dhe
o Krushevë.
III. Njësia e Trafikut Rajonal në Prizren 

IV. Pak histori mbi fillesat dhe ecurinë e Policisë së Kosovës në regjionin e Prizrenit

o Me 6 shtator 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me rezolutën e KB-së 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar me trajnimin e kandidatëve për pjesëtar të SHPK-së. 
o Në mesin e nëntorit 1999, 15 pjesëtarë të rinj të SHPK-së, pas diplomimit në Shkollën e Policisë në Vushtrri, e fillojnë punën me patrullime policore në Rajonin e Prizrenit, përkrah dhe të ndihmuar nga Policia e UNMIK-ut që kishin marrë përsipër trajnimin dhe aftësimin e këtyre për punë policore në terren. 
o Pas pavarësimit të të gjitha stacioneve dhe nënstacioneve në rajonin e Prizrenit dhe marrjes së përgjegjësive për sigurinë dhe rendin publik, me dt. 23.06.2005 është bërë bartja e kompetencave edhe tek komanda rajonale e Policisë në Prizren dhe që nga kjo datë veprohet në ndihmë të qytetarëve, kryesisht bazuar në forcat e veta.

ZONA E PËRGJEGJËSISË PRIZREN
 PRIZREN 

Prizreni është qytet i lashtë historik që shtrihet brigjeve të Lumëbardhit, nën shpatijet piktoreske të maleve të Sharrit. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Evropës Juglindore e më gjerë. I nënshtruar lëvizjeve të mëdha shoqërore gjatë periudhave të caktuara kohore, Prizreni përjeton edhe baticat e zbaticat e zhvillimit ekonomik, social e kulturor, duke pësuar edhe transformime të emërtimit. Shënimet historike flasin se lulëzimin më të madh të zhvillimit Prizreni e kishte gjatë shek. XIV dhe XIX, kur njihej si qendër e fortë tregtare, fidanishte e zejtarisë, kulturës dhe artit, çka dëshmon edhe prania e më se 65 përmendoreve historike të patundshme dhe mbi 600 të tjera të lëvizshme, të gjitha këto nën mbrojtjen e shtetit. Jo rastësisht Prizreni quhet qytet muze. 

Pozita gjeografike 
Komuna e Prizrenit shtrihet në pjesën jugperëndimore të Kosovës. Kufizohet me Shqipërinë në perëndim, me IRJ të Maqedonisë në juglindje, me komunën e Gjakovës në veriperëndim, me Rahovecin në veri, Therandën në verilindje, Shtërpcën në lindje dhe Dragashin në jug dhe përbëhet nga 73 komuna kadastrale. Sipërfaqja - 608 km 2 (5.58 % të territorit të Kosovës), - lartësia mbidetare – është 412 deri 500m, ndërsa në viset malore (majat e Sharrit) kalon 2000 m, Klima – e butë me ndikim të asaj mesdhetare. Komuna e Prizrenit ka tokë private- 29,289 ha, tokë shoqërore - 34,697ha, nën sistemin e ujitjes - 3.300 ha. 

Popullsia 
Popullsia sipas regjistrimit të fundit të vitit 2011-të dhe vlerësimeve të mëvonshme nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në komunën e Prizrenit janë rreth 177.781 banorë në 31.419 familje. 

Turizmi 
Pozita e volitshme regjionale gjeografike dhe baza natyrore e begatshme, objektet e shumta kulturore-historike, si dhe folklori i begatshëm, janë bazamenti kryesor për zhvillimin e turizmit në qytetin e Prizrenit. Kjo ka bërë që Prizreni të jetë qytet turistik dhe më i vizituari në Kosovë. 
Prizreni ka potencial për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit: transitor, malor, dimëror dhe për vikend. Këto forma të turizmit tashmë janë prezentë dhe janë burime të mira të të ardhurave për biznesmenët prizrenas. Turizmi malor dimëror- Prizreni është i rrethuar me male në tri anët e tij. Në malet e Sharrit që arrijnë lartësinë deri në 2750 m. Ekzistojnë 16 liqene malore. Një pjesë e madhe e kësaj zone është nën mbrojtje me qëllim të zhvillimit të turizmit. 
Në njërën anë mali i Koritnikut dhe ai i Pashtrikut në anën tjetër paraqesin potencial shumë të madh natyror për zhvillimin e turizmit malor. Në malet e Sharrit ekzistojnë me qindra metra shtigje të skijimit të cilat për momentin nuk shfrytëzohen si duhet, por të cilat paraqesin potencial të madh për zhvillimin e turizmit dimëror. 

Vende dhe objekte me rëndësi kulturore: 
a) Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 
b) Hamami i Gazi Mehmet Pashës (shek. XVI),
c) Kisha katolike (1870), 
d) Galeria në hamamin e Gazi Mehmet Pashës, 
e) Katedralja e Zonjës Ndihmëtare, 
f) Xhamia e Sinan Pashës (shek XVII), 
g) Kisha e Shën Premtës, 
h) Xhamia e Emin Pashës, 
i) Teqja e Tarikatit Halveti, 
j) Ura e Gurit, 
k) Rrjedha e Lumëbardhit, 
l) Namazgjaja e Prizrenit, 
m) Rrapi në Marash, 
n) Shatërvani, 
o) Sahat Kulla. 

Kultura - Për ruajtjen, kultivimin dhe prezantimin e vlerave të trashëgimisë së kulturës materiale e shpirtërore, në qytetin e Prizrenit, janë: 
 Shtëpia e Kulturës me bibliotekat për fëmijë e të rritur, 
 Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, në kuadër të të cilit janë: Muzeu Arkeologjik, 
 Muzeu i Hidroelektroekonomisë, 
 Kompleksi Memorial i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (me muzeun historik, sektorin etnografik, galerinë e arteve dhe bibliotekën), 
 Arkivi Historik Regjional, 
 Kinema “Lumëbardhi” me kopshtin veror për projektim të filmave nën qiellin e hapur, 
 Dhjetëra SHKA-amatore, 
 Klubi i letrarëve, 
 Shoqata e piktorëve dhe OJQ të involvuara në sferën e kulturës. 

Infrastruktura 
Rrjeti rrugor i territorit të komunës së Prizrenit është rreth 550 km i gjatë dhe përbëhet nga rrugë magjistrale, regjionale dhe ato lokale. Prizreni dhe fshatrat rreth tij furnizohen me ujë të pijshëm nga 4 burime kryesore dhe nga lumi Lumëbardhi nëpërmjet sistemit të filtrimit. Sipërfaqja e përgjithshme mbuluar me sistem ujësjellësish, është rreth 13.5 km2 dhe sasia mesatare e ujit që konsumon një banor është 150 litra në 24 orë.
 
ZONA E PËRGJEGJËSISË SUHAREKË
 SUHAREKA 

Pozita gjeografike 
Komuna e Suharekës gjendet në pjesën jugore të Kosovës. Kjo komunë ka një hapësirë prej 361 km² dhe përbëhet prej 43 fshatrave dhe qytetit. Kufizohet me komunën e Prizrenit, Rahovecit, Malishevës, Lipjanit, Shtimes, Ferizajt dhe Shtërpcës. Komuna e Suharekës është e rrethuar me male të larta, në veri-perëndim me malet e Pagarushës dhe të Temeqinës me lartësi mbidetare prej 796 deri 828 m, në veri me ato të Carralevës 922 deri 1.048 m, në lindje me malet e Jezercit 1.677 m (Kryet e Ahishtes) dhe në jug-lindje me malet e Sharrit 2.092 m (Dera e Pashës) ndërsa në perëndim me rrafshinën (ultësirën) e Prizrenit. Lartësia mesatare mbidetare në komunë është 455 m. Vetë qyteti i Suharekës gjendet në lartësi mbidetare prej 400 m. Sipërfaqja e kësaj komune është 361 km² që mbulon 3.3 % territorit të Kosovës. Nga sipërfaqja e komunës, që përfshin 36.099 ha (ose 361 km²), prej tyre 15.074 ha ose 41.7 % janë të mbuluara me pyje, 19.373 ha ose 53.7 % janë tokë bujqësore dhe 1.652 ha ose 4.6% sipërfaqe tjetër. Nëpër territorin e kësaj komune, me një pozitë të mirë gjeografike, kalojnë rrugë shumë të rëndësishme që e lidhin kryeqendrën, Prishtinën, me qendrën regjionale Prizrenin dhe kalojnë më tej në Shqipëri. 

Popullsia 
Në komunën e Suharekës jetojnë rreth 59.722 banorë. Veçori e banorëve të komunës është se ka një popullsi shumë të re e që është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm ekonomik e shoqëror. Struktura gjinore e popullsisë është pothuajse e barabartë 50 (F) dhe 50 (M). 

Struktura etnike-Komuna e Suharekës kryesisht ka qenë e banuar me popullsi shqiptare ndërsa minoritetet e tjera kanë pasur pjesëmarrje shumë të ulët, gjë që vazhdimisht ka shkuar duke u zvogëluar. Vlerësohet se rreth 95 % janë shqiptarë dhe 4.2 % komunitete tjera. Numri i përgjithshëm i familjeve mendohet të jetë rreth 11, 667 (mesatarja e një familje është konsideruar me 7.5 anëtarë). 

Bujqësia -Sipërfaqja e përgjithshme e tokës në komunën e Suharekës është 36,099 ha. Nga kjo, sipërfaqja prej 19,373 ha (53.7%) është tokë bujqësore pjellore; 1652 ha (5%) janë tokë jo pjellore apo djerrinë; si dhe 15,074 ha (42%) janë pyje. Nga sipërfaqja e përgjithshme prej 19,373 ha, toka e punueshme bujqësore zë një sipërfaqe prej 12666 ha. Kjo është e mbjellë me kulturat bujqësore si drithëra, vreshta, perime dhe pemë frutore. Livadhet zënë një sipërfaqe prej 2250 ha, kullosat 2875 ha dhe1582 toka djerrin. 
Blegtoria- Sipërfaqja poseduese e livadheve, terreni i përshtatshëm për kullosa si dhe interesimi i vazhdueshëm i fermerëve për blegtorinë dhe shpeztarinë janë potenciale të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e problemeve sociale në fshat. 
Pylltaria- Territori i komunës ka një sipërfaqe me pyje prej 15,074 ha. Kjo sipërfaqe përbën rreth 41.7 % të sipërfaqes së përgjithshme territoriale, nga e cila në pronësi shoqërore janë 8685 ha pyje (ose 57.6 %), si dhe në pronësi private janë 6389 ha (ose 42.4 %). 
Turizmi 
Në komunën e Suharekës hoteleria dhe turizmi në asnjë periudhë nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë në zhvillimin e gjithanshëm ekonomik. Komuna e Suharekës ka zona mjaft të përshtatshme dhe interesante për zhvillimin e turizmit që ndodhen në kompleksin e masivit të malit Sharr, i cili shtrihet në pjesën VL dhe JL të Mushtishtit, si dhe në zonën e bjeshkëve të Carralevës. Bukuritë natyrore, vegjetacioni i pasur bimor, ujor dhe lartësia mbidetare 1500 m. 2400 m, klima mesdhetare alpine, zgjojnë kërshërinë e vizitorëve si gjatë verës ashtu edhe gjatë dimrit. 
Vende interesante për t’u vizituar 
Kulla e Pashës në Mushtisht, Shtëpia e Ramë Bllacës në Bllacë, Kulla e Jonuz Tafollit në Qadrak. Të gjitha përmendoret individuale ose kolektive të dëshmove, përmendorja e viktimave civile të luftës dhe vendi i masakrimit të pjesëtarëve të lagjes Berisha në Therandë, mullinjtë e Breshancit, mulliri i Dragaqinës, mulliri i Budakovës, mulliri i Semetishtit, mali i Sharrit, guri i Dellocit, Buqalla në Reqan. 

Kultura-trashëgimia kulturore arkeologjike - në këtë komunë janë gjithsej 8 institucione kulturore, 3 shtëpi kulturore, 1 qendër rinore, 3 biblioteka dhe 1 arkiv publik i qytetit. 
Komuna e Suharekës ka shumë lokalitete arkeologjike të regjistruara, të dëshmuara apo supozuara. Kultura materiale arkeologjike e Hisarit, Rashtanit, Studenqanit, Kastërci, Peqanit, Bllacës, Dubiqakut, Shirokës etj., tregon bindshëm vazhdimësinë e jetës prej Paleolitit deri në ditët e sotme. Pishina arkeologjike e Suharekës është me rëndësi të veçantë për arkeologjinë dhe historinë ballkanike në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti. Këtë e dëshmojnë gjurmimet arkeologjike të viteve 60, 70 dhe gërmimet verifikuese stratigrafike Hisari 2003 dhe Hisari 2004. 

Infrastruktura 
Deri më tani në këtë komuna janë të asfaltuara vetëm 110 km rrugë. 

Shoqëria civile - Ekzistojnë disa OJQ të ndryshme të cilat veprojnë në komunën e Suharekës të cilat merren me aktivitete të ndryshme. 

ZONA E PËRGJEGJËSISË DRAGASH
 DRAGASH 


Pozita gjeografike 
Komuna e Dragashit gjendet në pjesën më jugore të Kosovës, në trekëndëshin e kufirit Kosovë-Shqipëri-Maqedoni, me lartësi mbidetare 1500 m që paraqet përparësi të pakontestueshme për zhvillimin e turizmit dimëror, malor dhe blegtorisë. Komuna e Dragashit ka një territor prej 435 km/2 i gjeografikisht i përbërë nga dy treva etnike-Opoja e banuar me shqiptarë (i shtrirë në 18 fshatra) dhe treva e Gorës e banuar me boshnjakë-goranë (po ashtu e shtrirë në 18 fshatra), që në tërësi janë 36 fshatra. Në strukturën e sipërfaqes së komunës 62 % janë kullosa, 16 % male, 13 % livadhe dhe 9 % ara. 

Popullsia 
Në komunën e Dragashit numri i popullsisë është rreth 33.997 banorë, me një shtim mesatar vjetor prej 1,7%. Sa i përket strukturës etnike, si shënime zyrtare që shfrytëzohen janë ato në të cilat ende bazohet UNMIK-u dhe OSBE-ja në bazë të të cilave rezulton që ajo të jetë 58,7% shqiptarë dhe 41,3 %s boshnjakë-goranë. 

Vendet interesante për t’u vizituar 
I tërë territori i komunës së Dragashit është interesant për t’u vizituar, falë bukurive të rralla natyrore, sidomos atyre në pjesët malore-kodrinore dhe brezin kufitar. Falë këtyre veçorive, bjeshkët e këtushme, në tërësi mund të kenë epitetin e parkut nacional dhe mund të janë atraktive për turistët dimërorë dhe verorë, sidomos pjesët në fshatrat: Restelicë, Brod, Radeshë, Zaplluxhe, Liqeni i Breznes, Shpella e Zgatari, Namazgjahu, HC Dikancë etj. 

Turizmi 
Për komunën e Dragashit, turizmi dimëror dhe veror paraqet një perspektivë ende të pashfrytëzuar sa duhet, nga se ka parakushte ideale dhe këtë e mundësojnë veçoritë natyrore - flora e fauna e rrallë dhe terrenet atraktive malore dhe bjeshkët e pafundta të Sharrit. Në këtë kontekst, me mjaft sukses, po funksionon në Brod Qendra Rekreative - Turistike. Argjena, ku tash më po organizohen takime të ndryshme zyrtare e private, kurse interesim ka për zgjerimin e qendrave të ngjashme edhe në mjedise tjera atraktive malore të Komunës. 


Kultura - Në Dragash funksionon Shtëpia e Kulturës dhe 3 shtëpi të tjera në terren (Bresanë, Bellobrad dhe Krushevë), ku funksionojnë edhe bibliotekat, siç funksionon biblioteka amë në Dragash dhe disa të tjera në institucione shkollore, që kanë nevojë për freskimin e fondit librar. 

Infrastrukturë 
Me asfaltimet e pasluftës, në mbarë territorin e komunës llogaritet të janë të asfaltuara afro 120 km rrugë, reciprokisht, në të dy trevat-Opojë dhe Gorës. Çështjen e ujit të pijes e kanë zgjidhur shumica e lokaliteteve të komunës përmes ujësjellësve të ndërtuar më angazhimin e mjeteve vetanake, punës vullnetare, apo projekte të donatorëve të ndryshëm, kështu që mendohet se aktualisht, funksionon rrjeti prej afro 200 km ujësjellës. Por, në Dragashin si qendër komunale, ende është problem uji cilësor i pijes, nga se ai filtrohet nga sistemi i vjetërsuar i filtrimit. 
Shoqëria civile - Aktualisht në komunën e Dragashit me aktivitete mund të veçohen vetëm OJQ si Mështekna, Memleqët, Dora e Ndihmës, Flaka, Sara, Dora e Shpresës, Qendra Rinore (DYC) etj.

ZONA E PËRGJEGJËSISË 
MAMUSHA 

Mamusha është themeluar me Urdhëresën Administrative 2005/11 me datën 27 shtator 2005. 

Pozita gjeografike 
Territori i Mamushës përbëhet prej 12.4 km territor dhe kufizohet me komunat Rahovec, Suharekë dhe Prizren. 

Popullsia 
Mamusha ka gjithsej rreth 5.507 banorë me strukturë etnike: turq, shqiptarë dhe romë. 

Turizmi dhe vendet interesante për t’u vizituar 
Në Mamushë ekzistojnë veshjet e ndryshme karakteristike si dhe festivali i domateve. Ndërsa vlen të vizitohet Sahat Kulla si dhe bukuritë e ndryshme natyrore. 

Shërbimet publike - administrative 
Kultura - Jeta kulturore në Mamushë mbulohet nga një shtëpi e kulturës e cila është funksionale. 

Infrastruktura 
Ndërsa infrastruktura deri diku është e kënaqshme. Janë rreth 2.4 km asfalt dhe rreth 7 km kanalizim. Po ashtu Mamusha ka 7 km sistem të ujësjellësit dhe furnizohet nga burimet nëntokë- sore. Sistemi i telefonisë fikse funksionin në gjithë territorin e PNJK së Mamushës. 

Shoqëria civile: Aktualisht funksionojnë tri organizata joqeveritare si ajo A.k Ferki, Alperenler dhe biznesmenët e Mamushës.


Raporto krimin