Policia e Kosovës reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara në portale të ndryshme të cilat kryesisht i referohen shkrimit të gazetës online “Insajderi”

Prishtinë,  6 tetor 2017


Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, publikon këtë komunikatë në shenjë sqarimi lidhur me shkrimin e publikuar sot, fillimisht në gazetën online “Insajderi”, të titulluar  “SKEMA E MASHTRIMIT ME VIZA”, e më pas shkrime të tilla janë publikuar edhe në portale të ndryshme, duke përfshirë edhe portalin “Bota Sot”, në të cilat potencohet se kinse në këtë histori mashtrimi është përfshirë edhe Policia e Kosovës, duke i lejuar qasje të pakufizuar Zekës në të dhënat personale të mbrojtura me ligj, reagon ndaj kësaj pjese dhe sqarojmë se:

Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe i siguron të gjithë qytetarët e saj se shkrimi i tillë i publikuar i cili u referohet informacioneve apo bisedave të palëve të përfshira në rast, ku kinse Policia e Kosovës u ka dhënë qasje në dokumente zyrtare, nuk qëndron, është i pavërtetë, qëllimkeq dhe tendencioz, pasi që fotografia, shenjat e gishtërinjve dhe nënshkrimi i publikuar nuk janë forma të cilat i posedon Policia e Kosovës. 


Vlen të potencohet se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me  Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha  veprimet e nevojshme ligjore.


Policia e Kosovës rithekson dhe njëherit rikonfirmon se nuk ka asnjë informacion, dokumentacion apo dëshmi zyrtare që ndërlidhet me pjesën e shkrimit të publikuar në portale, dhe se Policia e Kosovës nuk lejon qasje të asnjë personi në dokumentacione apo lëndë zyrtare, përveç zyrtarëve kompetentë të autorizuar dhe të  thirrur me ligj. 

Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, pasi që nuk ka asnjë informacion zyrtar në Policinë e Kosovës, lidhur me referimet dhe shkrimin e pavërtetë ndaj PK-së.

Me respekt

Zyra për Informim e PK-së                   

 

Raporto krimin