Policia e Kosovës realizon aktivitete shtesë me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafik

 

Policia e Kosovës, përveç aktiviteteve të tjera të shumta, gjatë muajit shtator, ka ndërmarrë aktivitete shtesë në ofrimin e sigurisë së fëmijëve gjegjësisht nxënësve, duke realizuar ligjërata nëpër shkolla dhe kopshte të fëmijëve, si dhe në mbajtjen e pikave të kontrollit në afërsi të shkollave. E gjithë kjo me qëllim të krijimit dhe vetëdijesimit sa më të madh për njohuri dhe respektim të rregullave të trafikut rrugor.

Bazuar të dhënave të aksidenteve fatale që kanë ndodhur në këtë muaj (shtator 2017), prej tetë (8) aksidenteve fatale, jetën e kanë humbur dhjetë (10) persona, prej tyre pesë (5) shoferë, tre (3) pasagjerë dhe dy (2) këmbësorë. Vlen të ceket se asnjë prej personave që kanë humbur jetën në trafik për këtë periudhe kohore, nuk ka qenë nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç.

Duke iu referuar numrit të nxënësve dhe lëvizjes së tyre nga shtëpia në shkollë apo nga shkolla në shtëpi, Policia e Kosovës, apelon: që të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi i prindërve dhe i nxënësve gjatë pjesëmarrjes në trafikun rrugor. Në veçanti të shtohet kujdesi nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë të gjitha rregullat që dalin nga ligji mbi trafikun rrugor, për të garantuar një siguri më të madhe dhe për shmangie të aksidenteve nëpër rrugë.

Në të kundërtën Policia e Kosovës, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me rregullat e trafikut do të vazhdojë të aplikojë ndërmarrjen e masave ligjore dhe do të ketë zero tolerancë.

Raporto krimin