Policia e Kosovës realizon një operacion kontrolli nën dyshim për trafikim me njerëz

            Policia e Kosovës, konkretisht Sektori i Hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në kuadër të veprimeve operativo-hetimore, me qëllim të parandalimit të krimit dhe luftimit të të gjitha formave të trafikimit me njerëz, në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore Gjilan, më 09.02.2017, ka ushtruar një kontroll në një lokal në Kamenicë.


            Në asistencë të hetimeve kanë qenë edhe Njësia Policore e Reagimit të Shpejtë e Gjilanit, inspektorë të ATK-së dhe inspektorë të punës.


            Gjatë kontrollit janë gjetur dy armë të ftohta (thika), të cilat i janë dorëzuar njësisë policore të Stacionit Policor në Kamenicë për procedura të mëtutjeshme.


            Në lokalin në fjalë janë hasur duke punuar katërmbëdhjetë femra, shtatë prej tyre nga Shqipëria. Të gjitha janë intervistuar sipas procedurave standarde vepruese, tek të njëjtat nuk janë gjetur elemente që i bëjnë të jenë viktima potenciale të trafikimit. Por, për shtatë nga to, në mungesë të dokumentacionit përkatës për lejeqëndrim të njëjtat janë proceduar tek Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në kuadër të PK-së, për procedura të mëtutjeshme në baze të Ligjit për të huaj.


            Inspektorët e ATK-së, lokalin në fjalë e kanë mbyllur, pasi kanë gjetur parregullsi në dokumentacion.


            Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative në vend dhe realizimin e detyrave dhe autorizimeve në funksion të zbatimit të ligjit.


Në vijim e keni videon:;



Me respekt

Zyra për Informim e PK-së


 

Raporto krimin