Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse (DSHM)
Misioni i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse është që të ofrojë shërbime mbështetëse që fuqizojnë çdo aspekt të organizatës dhe të sigurojë e të zbatojë politikat që kanë të bëjnë me furnizim me pajisje dhe mallra të ndryshme, ofrimin e shërbimeve të domosdoshme dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, ofrimin e shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore drejt përmirësimit dhe ngritjes së efikasitetit të Policisë.
Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse (DSHM) është përgjegjës për sigurimin dhe implementimin e politikave që kanë të bëjnë me mbështetjen e Policisë në fushën e logjistikës, menaxhimit të objekteve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, financave dhe prokurimit.
DSHM përkujdeset që të sigurojë që mbështetja dhe shërbimet e ofruara të jenë të bazuara në kualitet, cilësi, shërbime të shpejta dhe profesionale drejt ngritjes së efikasitetit dhe efektivitet të policisë ndaj qytetarëve.
DSHM synon të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm modern dhe të standardizuar të infrastrukturës, pajisjeve dhe shërbimeve të ofruara i cili përputhet me nevojat dhe kërkesat e shfrytëzuesve të shërbimeve.
Në kuadër të DSHM-së janë të strukturuara: Drejtoria e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, Drejtoria e Logjistikës, Drejtoria e Buxhetit dhe Financave, Drejtoria e Prokurimit, Drejtoria e Menaxhimit të Objekteve dhe Njësia e Monitorimit të Kontratave dhe Mbështetjes.
Secila drejtori është e ndarë në një numër të sektorëve dhe njësive në përputhje me shërbimet që ato ofrojnë.
Drejtoria e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit është përgjegjëse për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e rrjetit dhe shërbimeve kompjuterike të PK-së duke përfshirë rrjetin kompjuterik, bazat e të dhënave dhe aplikacioneve.
Menaxhon dhe mirëmban sistemet e kamerave të sigurisë, sistemin e radiokominikimit, konfigurimin dhe programimin e pajisjeve të radiokomunikimit si dhe përkujdeset për sigurinë dhe mbrojtjen e sistemeve dhe infrastrukturës së TIK-ut nga ndërhyrjet dhe sulmet kibernetike.
Drejtoria e Logjistikës është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve mbështetëse logjistike në të gjitha nivelet e PK-së, në mënyrë që Policia e Kosovës të operojë në mënyrë efektive dhe efikase. Bën menaxhimin e të gjitha automjeteve të Policisë, duke përfshirë mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre, mbështetjen me transport të personelit të PK-së, menaxhon dhe koordinon nevojat për furnizime me pajisje të ndryshme policore dhe logjistike si dhe përkujdeset për armët dhe municionin në kuadër të PK-së si dhe identifikon, planifikon dhe implementon projektet për mbështetje logjistike, duke u bazuar në nevojat e PK-së.
Drejtoria e Menaxhimit të Objekteve është përgjegjëse për krijimin e infrastrukturës funksionale në përputhje me nevojat dhe objektivat strategjike të organizatës dhe mirëmbajtjen e objekteve. Udhëheq politikat e planifikimit në fushën e infrastrukturës dhe objekteve të PK-së. Mbikëqyr, analizon dhe vlerëson proceset e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe objekteve të PK-së. Në koordinim dhe bashkëpunim me institucionet/kompanitë përkatëse përkujdeset për funksionimin e të gjitha shërbimeve komunale për nevoja të PK-së.
Drejtoria e Buxhetit dhe Financave është përgjegjëse për menaxhimin, planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit të Policisë së Kosovës. Përgatit propozimet buxhetore dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të PK-së. Përgatit planifikimin buxhetor sipas udhëzimeve të lëshuara nga Ministria e Financave. Monitoron dhe analizon shpenzimet buxhetore, përcaktimin e shpenzimeve buxhetore sipas linjave buxhetore si dhe përcjell realizimin e parashikimeve buxhetore, menaxhon me asetet e Policisë së Kosovës, të hyrat vetanake dhe raportimin rreth tyre, planifikimet e shpenzimeve në paga dhe mëditje, si dhe menaxhimin e parave të gatshme. Përgatit dhe raporton mbi ekzekutimin e buxhetit.
Drejtoria e Prokurimit është përgjegjëse për përgatitjen dhe zbatimin e planit vjetor të prokurimit sipas Ligjit të Prokurimit dhe Rregullores për Prokurim Publik. Siguron që të gjitha kërkesat e prokurimit janë përgatitur në përputhje me rregullat dhe procedurat për Prokurim Publik. Përkujdeset që të gjitha kontratat për mallra, shërbime dhe punë të kontraktohen në mënyrën më ekonomike, efikase dhe efektive. Këshillon njësitë kërkuese, për metoda dhe praktika e prokurimit.