DREJTORIA E POLICISË NË BASHKËSI DHE PREVENTIVË
Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë respektivisht koncepti Policimi në Bashkësi është një fushë shumë e rëndësishme e cila bazohet në ndërtimin e një partneriteti të shëndoshë dhe efikas me bashkësinë, shkëmbimin e dyanshëm të informatave në identifikimin e problemeve apo preokupimeve të bashkësisë në aspektin e sigurisë si dhe parandalimin e dukurive negative apo zgjidhjen e tyre bashkërisht me bashkësinë.
“Policia është Populli dhe Populli është Policia” është thënia e cila në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të thjeshtë e përkufizon rolin dhe synimin e Policisë së Kosovës me shtrirje në të gjitha nivelet organizative policore në ofrimin e sigurisë për bashkësitë përmes shërbimeve kualitative dhe të sinqerta.
Me qëllim të përmbushjes së rolit të policisë dhe arritjes së synimit në ngritjen e nivelit të sigurisë publike dhe zvogëlimin e frikës nga krimi, Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, në mënyrë që të jetë sa më afër qytetarit, ka vendosur shtrirjen e aktiviteteve të saj nëpër të gjitha bashkësitë në Republikën e Kosovës duke ofruar partneritet në mes të policisë dhe qytetarëve. Synimi i Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë në shtrirjen e Policimit Demokratik në Bashkësi është duke u ndihmuar dhe lehtësuar përmes implementimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit 2012-2016 “Policimi në Bashkësi”.
Aktivitetet që dalin nga kjo strategji janë duke u zbatuar me sukses deri më tani. Janë organizuar fushata të ndryshme vetëdijesimi rreth kësaj strategjie respektivisht rreth Konceptit të Policimit në Bashkësi brenda organizatës së Policisë së Kosovës në të gjitha nivelet gjithashtu edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partnerët vendorë e ndërkombëtarë të cilët angazhohen në fushën e sigurisë publike.
Përmes implementimit të kësaj strategjie, Policia e Kosovës do të mundësojë që qytetari t’i njohë policët që do të patrullojnë në lagjen e tyre, gjegjësisht në SEKTORIN POLICOR ku ata përkasin në bazë të ndarjes policore, dhe të komunikojnë me zyrtarët policorë rreth shqetësimeve dhe brengave që i preokupojnë.
SEKTORI POLICOR nënkupton një pjesë të caktuar të një territori, brenda kufijve të një apo më shumë bashkësive lokale në territorin e një komune, në të cilin një numër i caktuar i zyrtarëve policorë kryejnë të gjitha veprimtaritë policore lidhur me ngritjen e bashkëpunimit, identifikimin e problemeve të bashkësisë dhe keqbërësve, parandalimin e dukurive negative në bashkësi, përmirësimin e sigurisë në trafikun rrugor dhe zgjidhjen e problemeve potenciale të cilat cenojnë sigurinë e përgjithshme të bashkësisë. Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë bashkëpunon ngushtë dhe bashkërendon aktivitetet me organizatat qeveritare dhe organizatat jo qeveritare, partnerët ndërkombëtarë që kanë përvojë dhe orientim në fushën e sigurisë në bashkësi.
Përveç këtij bashkëpunimi, me qëllim të institucionalizimit, organizimit dhe bashkëpunimit me anëtarët e bashkësisë, Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë me propozim të vet bashkësisë apo të Komandantit të Stacionit policor dhe me aprovim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë themelon Komitetet Lokale për Siguri Publike (KLSP). Përveç Komitetit Lokal për Siguri Publike forum i sigurisë që e themelon Policia e Kosovës, në Republikën e Kosovës ekzistojnë edhe Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi (KKSB) dhe Ekipet Vepruese për Siguri Publike (EVSB) të cilat mbështesin Konceptin e Policimit në Bashkësi dhe kontribuojnë mjaft shumë në ngritjen e sigurisë së përgjithshme në bashkësi.
Me qëllim të përkrahjes, ndërtimit të kapaciteteve dhe profesionalizmit të anëtarëve të këtyre forumeve të sigurisë, me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë siç janë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Departamentit të Shtetit Amerikan, programit ICITAP dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Policinë e Kosovës (PK) është hapur dhe pajisur me teknologjinë e nevojshme për punë Zyra Koordinuese për Siguri në Bashkësi me seli në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Strategjia dhe plani i veprimit “Policimi në bashkësi” 2017 -2021
Kontakt:
Drejtoria e Policisë në bashkësi dhe Preventivë
Tel: 038 5080 ext. 1250