DEPARTAMENTI PËR KUFI

DEPARTAMENTI PËR KUFI I POLICISE SE KOSOVES



Në kuadër të Policisë së Kosovës funksionon Departamenti për Kufi.


V I Z I O N I i Departamentit për Kufi:

“Kufij të hapur, por të kontrolluar dhe të sigurt”.


QËLLIMI

Qëllimi i përgjithshëm i Departamentit për Kufi, është zhvillimi i një sistemi të sigurimit të kufijve, i cili do të integrojë të gjitha agjencitë shtetërore me përgjegjësi për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit. Ta mbajë Kosovën të sigurt duke shtuar sigurinë kufitare dhe të zbatojë ligjet e aplikuara.


M I S I O N I  I  D E P A R T A M E N T I T  P Ë R  K U F I

“Të garantojë siguri të shtuar kufitare duke parandaluar, duke zbuluar dhe duke kapur kriminelët e përfshirë në veprimtari të krimit ndërkufitar, aktiviteteve terroriste, trafikimit të qenieve njerëzore, falsifikimit të dokumenteve, transportimit të armëve për shkatërrim në masë, narkotikë, armë, vetura të vjedhura dhe kontrabandave tjera të ndaluara me ligj”.


DEPARTAMENTI PËR KUFI

Departamenti për Kufi është pjesë e Policisë së Kosovës. Në realizimin e misionit të tij në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, kontrollin e hyrjes, qëndrimit dhe lëvizjes së të huajve, parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar.

Policimi kufitar ka filluar në vitin 1999 si Polici e UNMIK – ut me mandat të rezolutës 1244, përgjegjëse për kontrollin dhe sigurinë në vendkalime kufitare. Ky policim fillimisht u krijua për t’iu përgjigjur nevojave të Kosovës, të pasluftës dhe strukturave të saj. Ishte në pajtim me këto nevoja.

Zyrtarët policorë kufitarë, Policia Kufitare, janë profesionalë, ata mbajnë sigurinë e shtetit mbi supe dhe është i vetmi entitet në Kosovë, i caktuar për të qenë:

“VIJË E PARË E MBROJTJES” në Kosovë.


Departamenti për Kufi është përgjegjëse për:

•    Menaxhimin dhe kontrollin në pikat e kalimit të kufirit;
•    Menaxhimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen përgjatë kufirit të Gjelbër dhe të Kaltër;
•    Sigurimin e pacenueshmërisë të kufirit shtetëror;
•    Mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve;
•    Parandalimin dhe zbulimin veprave penale dhe kundërvajtjeve, zbulimit të kryesve të tyre;
•    Parandalimin dhe zbulimin e migrimit të kundërligjshëm;
•    Parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimit ndërkufitar në partneritet me agjencitë tjera për sigurinë në kufijtë shtetërorë;
•    Parandalimin e lëvizjes së mallrave dhe bagëtive të infektuara përmes kufirit shtetëror.

Aktualisht në Kosovë funksionojnë 16 pika të kalimit të kufirit dhe 12 stacione policore për mbikëqyrjen e kufirit.

Zhvillimi i brendshëm dhe i jashtëm në rritje i policimit kufitar, do të çojë drejt realizimit të misionit të saj. Këto zhvillime do të kenë në thelb përmirësimin e cilësisë së shërbimit nëpërmjet arritjes së standardeve bashkëkohore dhe përdorimit të teknologjive dhe formave më të përparuara.


Struktura aktuale organizative e Departamentit për Kufi

Departamenti për Kufi, është pjesë e Policisë së Kosovës dhe është e organizuar në nivel:
•    qendror dhe
•    lokal.

Në nivel qendror përbëhet nga dy divizione:

•    Divizioni për Kontroll dhe Mbikëqyrje të Kufirit dhe
•    Divizioni për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.


Niveli lokal përbëhet nga:

•    Drejtoria Rajonale Kufitare “Veri” Lluzhan
•    Drejtoria Rajonale Kufitare “Lindje” Kaqanik
•    Drejtoria Rajonale “Perëndimi” Gjakove

Drejtoritë Rajonale Kufitare menaxhojnë dhe kontrollojnë stacionet policore për mbikëqyrje të Kufirit dhe pikat e kalimit kufitar.


Drejtoria Rajonale Kufitare “Perëndimi” Gjakovë

Drejtoria Rajonale Kufitare “Perëndimi” Gjakovë ka nën mbikëqyrje kufirin shtetëror me Republikën e Shqipërisë, Malin e Zi, si dhe një pjesë të kufirit me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Maqedonisë.

Ka nën kontroll dhe mbikëqyrje pikat e kalimit të kufirit:

•    Vërmicë,
•    Qafë Prush,
•    Qafë Morinë,
•    Kullë,
•    Shishtavec,
•    Orqushe,
•    Glloboqicë/Borje.

Si dhe stacionet policore për mbikëqyrje të kufirit:

•    Vërmicë,
•    Gjakovë,
•    Dragash,
•    Vitomiricë.

Drejtoria Rajonale Kufitare “Veriu” Lluzhan

Drejtoria Rajonale Kufitare “Veriu” Lluzhan, ka nën mbikëqyrje pjesën më të madhe të kufirit shtetëror me Republikën e Serbisë.

Ka nën kontroll dhe mbikëqyrje pikat e kalimit të kufirit:

•    Merdare,
•    Jarinje,
•    Bernjak,
•    Mutivodë.


Si dhe stacionet policore për mbikëqyrje të kufirit:

•    Keqekollë,
•    Kërpimeh,
•    Leposaviq,
•    Zubin Potok.

Drejtoria Rajonale Kufitare “Lindje” Kaqanik

Drejtoria Rajonale Kufitare “Lindje” Kaqanik, ka nën mbikëqyrje pjesën më të madhe të kufirit shtetëror me Republikës e Maqedonisë, si dhe një pjesë të kufirit shtetëror me Republikën e Serbisë.

Ka nën kontroll dhe mbikëqyrje pikat e kalimit të kufirit:

•    Hani i Elezit,
•    Dheu i Bardhë,
•    Muqibabë,
•    Glloboqicë.


Si dhe stacionet policore për mbikëqyrje të kufirit:

•    Hani i Elezit,
•    Zhegër,
•    Gjilan,
•    Muqivërcë.


Menaxhimi i Integruar i Kufirit

Menaxhimi i Integruar i Kufijve i referohet koordinimit dhe bashkëpunim ndërmjet të gjitha autoriteteve dhe agjencive të përfshira në sigurinë dhe kontrollin e kufirit, për të mundësuar një qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave, për të vendosur sisteme efikase dhe efektive të menaxhimit të integruar të kufirit, në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët i kufijve të hapur, të kontrolluar dhe të sigurt.

Koncepti i Menaxhimit të Integruar të Kufirit mbështetet mbi tri shtyllat kryesore:

•    Bashkëpunimi brenda shërbimit,
•    Bashkëpunimi ndërmjet agjencive dhe
•    Bashkëpunimi ndërkombëtar.

Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe siguria në kufi, përbën një angazhim të veçantë në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, legjislacionin në fuqi, veprimet politike dhe sigurinë kombëtare brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare veçanërisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, strukturat tjera ndërkombëtare dhe ndërtimin e besimit me shtetet fqinje e më gjerë.


Korniza ligjore

Departamenti i Kufirit, detyrat dhe përgjegjësitë e saj i ushtron në mbështetje të:

•    Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
•    Ligji për Policinë e Kosovës,
•    Kodi i Procedurës Penale të Kosovës,
•    Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror,
•    Ligjit për të Huaj,
•    Ligji për Azil,
•    Ligjit për Bashkëpunim Ndërmjet Autoriteteve të Përfshira në Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Të gjitha ligjet që rregullojnë fushën e Departamentit për Kufi janë në fuqi dhe janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.


Modeli i Policimit të cilin e aplikon Departamenti për Kufi

Si model të policimit Departamenti për Kufi, aplikon policimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të kufirit përmes vëzhgimit, identifikimit dhe pastaj reagimit. Departamenti për Kufi do të aplikojë sistemin e sigurimit të bazuar në informata inteligjente, mbi lëvizjen e krimit dhe analizën e rrezikut. Zgjedhja e këtij modeli të policimit vjen si rrjedhojë e kërkesave në rritje të qytetarëve për një cilësi më të mirë të shërbimit, si dhe nga përvojat e suksesshme të organizatave policore homologe të vendeve të Bashkësisë Evropiane.

Të gjitha këto forma të policimit do të kenë si rezultat:

•    Krijimin e një kulture moderne menaxhimi, e cila do të sjellë orientimin e veprimtarisë së Policisë Kufitare drejt planifikimit.
•    Ndërtimin e Partneritetit. Departamenti për Kufi edhe pse është prijëse prapëseprapë nuk është institucioni i vetëm përgjegjës për kontrollin dhe sigurinë e kufirit, por vepron bashkërisht me agjencitë tjera të cilat merren me kontrollin dhe sigurinë e kufirit.
•    Përmirësimin e Infrastrukturës. Departamenti për Kufi nuk mund të ofrojë cilësi në shërbimet e kërkuara nëse ato nuk mbështeten nga një infrastrukturë bashkëkohore.


Objektivat dhe aktivitetet e Departamentit për Kufi janë:


•    Qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave e mjeteve, si dhe ngritja e sigurisë së kufijve të Republikës së Kosovës;
•    Parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të krimit ndërkufitar dhe zbatimi i masave anti-korrupsion;
•    Avancimi i bashkëpunimit policor ndërkufitar, si dhe avancimi i menaxhimit të resurseve;
•    Ngritja profesionale dhe aftësimi i zyrtarëve policorë.


Bashkëpunimi

Koncepti i Bashkësisë Evropiane mbi Menaxhimin e Integruar të Kufirit, për Ballkanin Perëndimor, mbulon bashkërendimin dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjitha autoriteteve dhe agjencive të rëndësishme, të përfshira në sigurinë kufitare, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve dhe lehtësimin e tregtisë, me qëllim vendosjen e sistemeve të efektshme dhe me rendiment të menaxhimit të integruar të kufirit, me synimin e arritjes së qëllimit të përbashkët për kufij të hapur, por të kontrolluar dhe të sigurt.


Aspektet kyçe të konceptit Menaxhimi i Integruar i Kufirit, janë bashkërendimi dhe bashkëpunimi dhe mbështetja mbi tri shtyllat në vijim:

•    Bashkëpunimi brenda agjencisë,
•    Bashkëpunimi ndërmjet agjencive dhe
•    Bashkëpunimi ndërkombëtar.

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit në menaxhimin e kufirit, është shumë i rëndësishëm edhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ky bashkëpunim më së miri mund të bëhet përmes shkëmbimit të informatave, përcaktimit të procedurave emergjente, kanaleve të komunikimit.

Departamenti për Kufi synon që ta avancojë bashkëpunimin ndërkombëtar në të tri nivelet: atë multilateral, bilateral dhe lokal. Po ashtu Departamenti për Kufi, synon që të kyçet më aktivisht në proceset multilaterale të bashkëpunimit evropian, përmes pjesëmarrjes aktive në grupet relevante punuese.

Aktualisht, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, Departamenti për Kufi bazohet në memorandumet e bashkëpunimit të nënshkruara me të gjitha vendet fqinje.

Departamenti për Kufi, mban takime ndërkufitare të nivelit lokal, rajonal dhe qendror, me policitë kufitare të shteteve fqinje. Ka qendra të përbashkëta të bashkëpunimit policor ndërkufitar me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë dhe në proces është qendra e përbashkët trilaterale e bashkëpunimit policor ndërkufitar, në mes të Republikës së Kosovës – Republikës së Shqipërisë – Malit të Zi, në Plavë Mal të Zi.

Në kuadër të bashkëpunimin me shtetet fqinje Departamenti për Kufi, realizon patrullime të përbashkëta të kufirit edhe me policitë kufitare të vendeve fqinje.

Në kuadër të Ministrisë të Punëve të Brendshme, funksionon edhe qendra për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit. Në këtë qendër mbikëqyrja realizohet së bashku me agjencitë tjera të cilat operojnë në kufi, si: Dogana e Kosoves, Agjensioni i veterinës dhe Agjensioni për kontrollin e ushqimit.

Me qëllim të rritjes së efikasitetit të menaxhimit të kufirit, PKK synon që në të ardhmen të hartojë plane të përbashkëta operacionale dhe plane të veprimit, në rast të situatave të ndryshme dhe sistem të komunikimit emergjent me vendet fqinjë.



Raporto krimin