Njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Ferizaj, më datë 06.08.2025, ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, e lëshuar me kërkesë të Prokurorisë Themelore.
Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit J.I. (M/K), i moshës 70 vjeç, në Ferizaj, janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 8 armë të gjata dhe 3 pistoleta pa leje, të cilat ishin vendosur në dhoma të ndryshme të shtëpisë dhe në një depo të improvizuar që përdorej për modifikimin e armëve. Po ashtu, janë gjetur pjesë të ndryshme armësh dhe një sasi e konsiderueshme municioni të kalibrave të ndryshëm.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e veprave penale:
– “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”
– “Fshirja, heqja apo ndryshimi i kundërligjshëm i shenjave në armë zjarri apo në municion”
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin e Policisë në Ferizaj për procedura intervistimi, ndërsa për veprimet e mëtutjeshme do të njoftoheni përmes një raporti shtesë.