Me datën 10.08.2025 rreth orës 15:50, stacioni policor në Shtime është njoftuar për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Adem Jashari”, gjatë një ahengu familjar.
Patrulla policore ka lokalizuar vendin dhe ka kontaktuar me pronarin e ahengut, i cili njëkohësisht ishte edhe personi i dyshuar dhe ka pranuar se kishte shtënë tri herë me armë zjarri.
Arma e përdorur – një pistolë nga i dyshuari N.R, 38 vjeç është konfiskuar nga policia.
Personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Shtime dhe është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt
Policia Rajonale e Ferizajt bën apel tek qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve në festa, pasi ato rrezikojnë jetën dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.
Gëzimet le të festohen me zemër, jo me armë !
Çdo e shtënë me armë zjarri mund të sjellë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme.