Gjatë periudhës tre javore 18 korrik – 10 gusht 2025, në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror”, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka themeluar Task Forcën “Alkooli”, përmes së cilës janë kryer 5,152 testime për alkool. Si rezultat, 139 drejtues mjetesh kanë rezultuar duke ngarë nën ndikimin e alkoolit dhe patentat e tyre janë ndaluar si masë mbrojtëse.
Përveç kontrolleve për alkool, policia ka zbatuar masa ndaj drejtuesve që rrezikojnë sigurinë në trafik, me fokus në zonat me rrezik të lartë aksidentesh dhe shkelje si tejkalimi i shpejtësisë, tejkalimet e rrezikshme, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes dhe mos vendosja e helmetës nga ngasësit e motoçikletave.
· Janë shqiptuar gjithsej 3,012 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut.
· Janë ndaluar si masë mbrojtëse gjithsej 202 patenta shoferi (përfshirë 139 për ngasje nën ndikimin e alkoolit).
· Janë sekuestruar 5 automjete dhe 58 motoçikleta.
· Për 18 drejtues mjetesh nga vende evropiane, për shkak të kundërvajtjeve të rënda, të dhënat janë përcjellë tek autoritetet kompetente të shteteve të tyre.
Policia mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë në rrugë dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të trafikut. Vetëm me përgjegjshmëri dhe vëmendje të përbashkët mund të shmangim aksidentet dhe të ruajmë jetën në rrugë.
Ngasni me kujdes – për veten dhe të tjerët!