Stacioni Policor në Malishevë, pas pranimit të një video-incizimi ku shiheshin persona të armatosur duke hyrë në një pronë private në fshatin Shkozë-Malishevë më datë 24.08.2025, ka ndërmarrë veprime intensive hetimore me qëllim zbardhjen e rastit.
Si rezultat i punës hetimore, sot më datë 26.08.2025, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar (meshkuj, të moshës madhore). Tek njëri nga të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar:
• Një armë zjarri e tipit AK-47 me një karikator dhe 5 fishekë,
• Një pushkë gjuetie me 4 fishekë.
Dyshohet se këto janë armët e njëjta që shihen në video-incizim duke u mbajtur nga të dyshuarit.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar rast penale ndaj të dyshuarve për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa procedurat e mëtejme do të zhvillohen sipas rrugës së rregullt ligjore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e veprave penale.