Në ditët e fundit, janë në rritje ankesat e qytetarëve në Policinë e Kosovës, ku qytetarë dhe biznese raportojnë raste të mashtrimit që kryhen në emër të ndihmës financiare për persona të tretë.
Sipas deklarimeve të palëve të dëmtuara, është konstatuar se persona të panjohur, për momentin, i kontaktojnë qytetarët përmes telefonit, duke përdorur aplikacione si Viber, WhatsApp etj., me numra telefonikë nga shtete fqinje (Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi), dhe kërkojnë ndihmë financiare në emër të personave të tretë. Ata udhëzojnë që mjetet financiare të dërgohen përmes filialeve të Western Union, MoneyGram dhe të ngjashëm.
Më vonë, palët e dëmtuara kuptojnë se mjetet nuk janë përdorur për qëllime ndihme, por për përfitime personale të individëve të dyshuar.
Bazuar në këto rrethana, u bëhet apel qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj kërkesave të tilla, pasi hetimet e deritanishme kanë konstatuar se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal.