Prishtinë, 15 Shtator 2025
Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Hetimet janë zgjeruar pas veprimeve të mëhershme hetimore të ndërmarra më 21.08.2025, ndërsa sot, më 15.09.2025, janë ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarve katër persona. Dyshohet se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në falsifikimin e dokumenteve zyrtare me qëllim të kompletimit të dosjeve për kandidatë për patentë shofer, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj.
Personat e dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndaj tre prej tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Një person është liruar në procedurë të rregullt.
Veprimet hetimore po vazhdojnë në koordinim të ngushtë me Prokurorinë kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe procedimit të mëtejmë ligjor ndaj personave përgjegjës.