Prishtinë, më 30 dhjetor 2025
Gjatë kësaj periudhe të vitit 2025, Policia e Republikës së Kosovës ka realizuar me sukses objektivat strategjike dhe specifike të përcaktuara në Planin Zhvillimor Strategjik, duke shënuar rezultate pozitive në fusha të ndryshme të veprimtarisë policore.
Përmes angazhimit profesional të zyrtarëve policorë dhe menaxhimit efektiv institucional, Policia e Kosovës ka kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, mbikëqyrjen e kufirit shtetëror si dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët. Këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës dhe menaxhmentit të saj për garantimin e një ambienti të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.
Në vazhdim po ofrojmë të dhëna statistikore sa i përket veprave penale, rasteve dhe kundërvajtjeve:
| Vepra penale, raste dhe incidente | janar-20 dhjetor
2024 |
janar-20 dhjetor 2025 | % |
| Vepra penale | 27118 | 26157 | -3.54 |
| Raste të raportuara | 45628 | 46560 | 2.04 |
| Kundërvajtjet dhe rastet e natyrës më të lehtë | 18510 | 20403 | 0.23 |
Numri i veprave penale ka shënuar rënie nga 27.118 në 26.157 ose -3.54%.
Në vijim paraqesim numrin total të veprave penale dhe disa nga statistikat krahasuese të krimit për këtë periudhë kohore janar-20 dhjetor 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
STATISTIKA PËR DISA PREJ VEPRAVE PENALE MË TË VEÇANTA
| Periudha krahasuese | janar-20 dhjetor 2024 | janar-20 dhjetor 2025 | % |
| Vrasjet | 17 | 18 | 5.88 |
| Kanosje | 2559 | 2393 | -6.49 |
| Lëndim i rendë trupor | 205 | 221 | 7.8 |
| Vjedhje | 3596 | 3528 | -1.89 |
| Vjedhje e rëndë | 2087 | 2027 | -2.87 |
| Grabitje | 70 | 62 | -11.43 |
| Dhune në familje | 2498 | 2443 | -2.2 |
Statistikat krahasuese për periudhën janar-20 dhjetor 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar tregojnë në përgjithësi rënie të numrit të veprave penale:
Gjatë kësaj periudhe kohore (janar-20 dhjetor 2025) janë konfiskuar 1882 armë, kurse në periudhën janar-20 dhjetor 2024, janë konfiskuar 1667 armë të ndryshme, ose 12.9% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Policia e Kosovës, në drejtim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh operative në terren, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik. Gjatë periudhës janar-nëntor 2025 janë evidentuar 95 aksidente fatale, 8,501 aksidente me lëndime dhe 14,540 aksidente më dëme materiale.
Ndaj shkelësve të rregullave në trafik, gjatë kësaj periudhe Policia ka shqiptuar 755,483 gjoba, prej tyre 55,809 shoferëve u janë vendosur pikë negative dhe 13,446 shoferëve iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik për një periudhë të caktuar kohore bazuar në ligjet përkatëse.
Po ashtu, sipas raportit të Transport Community, i publikuar me 12 nëntor 2025, me të dhënat e vitit 2024, Kosova ka arritur rezultate pozitive edhe në sigurinë rrugore, duke pasur numrin më të ulët të viktimave për një milion banor në aksidente fatale, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Me qëllim të parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit dhe krimeve të rënda, gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2025, Policia e Kosovës ka shkatërruar 20 grupe kriminale, ka ngritur 964 kallëzime penale. Kurse, në fushën e luftimit të substancave narkotike, në formë tabelore paraqesim të dhënat e mëposhtme:
| Lloji i substancave narkotike të konfiskuara | janar- nëntor 2024 | janar-nëntor 2025 | Përqindja |
| HEROINË | 27kg 883.94gr | 1 kg 520.08 gr | -94.55 % |
| KOKAINË | 14kg 099.32gr | 24 kg 260.47gr | 72 % |
| MARIHUANË | 1279kg 844.85gr | 1314 kg 745 gr | 3 % |
| EXTASY | 3kg 791.2gr | 186.14 gr | -95.09% |
| Amphetamin/Methamph.-Speed | 415.99gr | 16.21 gr | -96.10 % |
| Bimë kanabisi të shkatërruara | 7,126 | 6587 | -7.5 % |
| Fara kanabisi | 26.5gr | 676.6 | 2453 % |
| Substanca tjera narkotike | 362kg 090.51gr | 28 kg 539.59 gr | -92 % |
Gjatë trajtimit të rasteve të korrupsionit, krimeve ekonomike, narkotikëve e krimeve të rënda, në koordinim me organet e drejtësisë janë sekuestruar/ngrirë asete të ndryshme:
|
ASETET E NGRIRA/TË SEKUESTRUARA |
janar- nëntor 2024 | janar- nëntor 2025 |
Përqindja |
| Shtëpi | 1 | 8 | 700% |
| Banesa | 66 | 218 | 230% |
| Lokale | 4 | 36 | 800% |
| Garazhda | 30 | 194 | 547% |
| Patundshmëri (toka) | 29 | 397 | 1269% |
| Ngrirje e xhirollogarive | 13 | 69 | 431% |
| Vlera e përafërt në euro | 10.045.609 | 112.999.972 | 1025% |
Disa nga aktivitetet/rezultatet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës: janë iniciuar 21 rate të reja, janë arrestuar 10 të dyshuar, 9 të dyshuar janë dërguar në mbajtje dhe janë adresuar në Prokurorinë Speciale 21 kallëzime penale dhe 5 raporte plotësuese.
Policia është angazhuar edhe në pjesën e sigurisë së përgjithshme të kufirit shtetëror dhe luftimin e krimeve ndërkufitare.
Disa nga statistikat që lidhen me çështje kufitare i paraqesim më poshtë:
| Kategoria | janar-nëntor 2024 | janar-nëntor 2025 | % |
| Hyrje/dalje të personave në kufi | 28.084.060 | 31.646.582 | 13% |
| Mjete motorike të kaluar në kufi | 8.874.029 | 10.178.779 | 15% |
| Refuzim të hyrjes në RKS | 2.931 | 4.039 | 38% |
| Refuzim të daljes nga RKS | 596 | 639 | 7% |
| Gjoba për kundërvajtje në fushën e migrimit dhe të huajve | 965 | 949 | -2% |
| Persona të kontrolluar në vijën e dytë | 32.658 | 38.579 | 18% |
Disa nga statistikat e veprave penale që lidhen me sigurinë në brezin kufitar dhe krimet ndërkufitare:
| Natyra e rasteve | 2024 | 2025 | % |
| Raste të trajtuara në total | 469 | 649 | 38% |
| Kundërvajtje | 301 | 560 | 86% |
| Persona të arrestuar | 514 | 633 | 23% |
| Persona të arrestuar me urdhëresë | 1735 | 1779 | 3% |
| Armë zjarri të konfiskuara | 60 | 69 | 15% |
| Municion (copë) | 802 | 1669 | 108% |
| Kalim i paautorizuar i kufirit | 113 | 105 | -7% |
| Kontrabandë me emigrantë | 9 | 12 | 33% |
| Posedim i paligjshëm i armëve | 54 | 105 | 94% |
| Kontrabandë me mallra | 56 | 54 | -4% |
| Falsifikimi i dokumentit | 22 | 40 | 82% |
Vlen të përmendet se Raporti i Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të muajit shtator të këtij viti, ka renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta, duke e pozicionuar të parën në Evropë dhe të tretën në nivel global për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.

Rezultate afirmative janë shënuar edhe në trajtimin dhe hetimin e sulmeve në Banjskë dhe në kanalin e Ibër Lepencit në veri të vendit, falë bashkëpunimit profesional me agjencitë tjera të sigurisë si ato vendore dhe ndërkombëtare.
Viti u karakterizua edhe nga thellimi i partneriteteve strategjike ndërkombëtare, vlenë të theksohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me Ambasadën Amerikane në Republikën e Kosovës. Ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave, me pjesëmarrjen e rreth 800 zyrtarëve policorë dhe shërbimeve emergjente, dëshmoi gatishmërinë operacionale, profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë e Policisë së Kosovës. Ky bashkëpunim forcon kapacitetet e reagimit ndaj situatave komplekse dhe e pozicionon Policinë e Kosovës si partnere të besueshme në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë.
Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka hartuar dhe zbatuar katër urdhra operativ për të ofruar siguri gjatë katër proceseve zgjedhore që janë organizuar dhe mbajtur në Republikën tonë.
Këto rezultate janë të lidhura ngushtë edhe me përkrahjen e vazhdueshme që Policia e Kosovës gëzon nga institucionet shtetërore dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionet tjera të sigurisë, të cilat së bashku krijojnë një sistem gjithëpërfshirës për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe konstruktiv, si një faktor thelbësor në parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale dhe në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Njëkohësisht, Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë dhe falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin, besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të treguar ndër vite, duke konfirmuar përkushtimin e saj për të shërbyer me profesionalizëm, transparencë dhe përgjegjësi të plotë në interes të sigurisë së përgjithshme në Republikën e Kosovës.