Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Prezantim zyrtar i punës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë për vitin 2025

Gjakovë, 30 janar 2026
Sot, në një takim zyrtar të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, Drejtori Rajonal, Kolonel Lumni Graishta, prezantoi para përfaqësuesve të lartë institucionalë, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, përfaqësues të KFOR-it, OSBE-së dhe institucioneve të tjera, rezultatet e punës për vitin 2025 dhe objektivat për vitin 2026.
Gjatë prezantimit u theksua se situata e sigurisë në rajonin e Gjakovës ka mbetur stabile. Në qytetet e Gjakovës dhe Rahovecit gjatë viteve 2023–2025 nuk është shënuar asnjë rast vrasjeje, ndërsa në Malishevë është regjistruar vetëm një rast në vitin 2025. Gjithashtu, është shënuar rënie e lëndimeve të rënda dhe e lëndimeve të lehta trupore, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm policor në parandalimin e dhunës.
Në fushën e krimeve kundër pronës, gjatë vitit 2025 është evidentuar rënie e rasteve të vjedhjeve të rënda krahasuar më një vit më herët. Rastet e grabitjeve kanë mbetur në nivel të ulët. Dhuna në familje, ka shënuar rritje, gjë që kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror për trajtim dhe parandalim më efektiv. Po ashtu, janë evidentuar më shumë raste të armëmbajtjes pa leje, duke reflektuar nevojën për vazhdimin e veprimeve preventive dhe operative në këtë drejtim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka treguar efikasitet të shtuar edhe në zbatimin e urdhëresave të gjykatave, me rritje prej rreth 6.4 për qind të urdhëresave të realizuara gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin paraprak.
Në fushën e sigurisë në trafik, numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar rënie, megjithatë aksidentet me pasoja fatale kanë qenë më të shumta. Për këtë arsye, janë intensifikuar kontrollet policore, duke rezultuar me rritje të gjobave të shqiptuara dhe masave mbrojtëse, përfshirë marrjen e patentë-shoferëve.
Në përfundim të prezantimit, drejtori rajonal theksoi se këto rezultate janë arritur falë angazhimit profesional, përkushtimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë me qytetarët dhe institucionet partnere, duke garantuar siguri dhe rend publik për të gjithë qytetarët e rajonit.
Objektivat kryesore për vitin 2026 mbeten:
· Parandalimi dhe luftimi i kriminalitetit në përgjithësi;
· Parandalimi i vjedhjeve, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve;
· Ngritja e shkallës së zbulueshmërisë së veprave penale;
· Parandalimi i aksidenteve në komunikacionin rrugor;
· Zbatimi i strategjive dhe planeve operative në fuqi;
· Avancimi i bashkëpunimit me mekanizmat lokalë të sigurisë, komunat, drejtoritë dhe inspektoriatet përkatëse.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në shërbim të qytetarëve dhe në forcimin e mëtejmë të sigurisë publike.



Statstikat e përgjithshme: 2026-06-01
0
Aksidentet Fatale
18
Aksidentet Me te Lenduar
21
Aksidentet Pa te Lenduar
1842
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
7
Arrestime
5
Ne Mbajtje