Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2025, në një takim të mbajtur në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Kolonel Fehmi Hoti, Drejtorit të Departamentit të Rendit Publik, Nënkolonel Arbnesh Ajvazi, si dhe përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë – Kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Petrit Kryeziu.
Takimin e hapi Drejtori Rajonal, Kolonel Faton Alija, ai prezantoi objektivat strategjike të vitit, duke theksuar, si:
• Ofrimin e sigurisë publike dhe forcimin e bashkëpunimit me qytetarët dhe forumet e sigurisë.
• Zbatimin e Strategjisë së integruar të Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2021-2025.
• Rritjen e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve.
• Parandalimin dhe ndriçimin e veprave penale, me fokus të veçantë në luftimin e dhunës në familje. Etj.
Në raport u theksua se gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024, është shënuar një ulje prej 2.7% e numrit të veprave penale. Policia e Prizrenit ka realizuar gjithsej 914 operacione policore dhe ka sekuestruar 152 armë, duke shënuar një rritje prej 23.6% krahasuar me vitin paraprak. Rezultatet e arritura përfshijnë ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë në shkolla, komunikacion, parandalimin e veprave penale dhe menaxhimin e situatave emergjente. Duhet te thesohes se gjithastu kemi pas një ngritjen te zbulueshmerise se veprave penale dhe incidenteve , duke arrit nje zbulueshmëri prej 86 % ne vitin 2025 nga 81.8 % sa ishte ne vitin 2024.
Gjithashtu, u theksua se gjatë vitit 2025 në rajonin e Prizrenit janë regjistruar dy raste vrasjesh, për dallim nga viti 2024 kur nuk është shënuar asnjë rast i tillë. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se në rajonin e Prizrenit prej vitesh nuk ka pasur asnjë rast vrasjeje me kryes të pa zbuluar, duke dëshmuar efikasitetin e Policisë në ndriçimin e rasteve të rënda.
Kolonel Gazmend Hoxha përgëzoi Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren për punën dhe angazhimin e treguar, duke theksuar nevojën për vazhdimin e përkushtimit në zbatimin e Strategjisë së integruar të Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi. Ai rikujtoi se pavarësisht sfidave me mungesë stafi dhe pajisjesh, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime profesionale në interes të qytetarëve.
Në fund të takimit, Kryeprokurori dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren falënderuan Policinë për bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhimin profesional.