Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Stacioni Policor në Rahovec fillon implementimin e planit operativ për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve

Rahovec, 15 prill 2026
Stacioni Policor në Rahovec, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe mundësimit të lëvizjes së lirë për qytetarët, ka filluar sot implementimin e planit operativ për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve.
Ky plan, i cili realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Rahovecit, synon parandalimin e shkeljeve të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe eliminimin e pengesave në hapësirat publike.
Në kuadër të këtij plani, njësitet policore në terren do të ndërmarrin masa konkrete për:
identifikimin dhe largimin e të gjitha automjeteve të parkuara në mënyrë të kundërligjshme në trotuare dhe në brezin mbrojtës të rrugës, largimin e mjeteve të dëmtuara, të paregjistruara ose të papërdorshme që janë lënë në hapësira publike, në bashkëpunim me inspektorët komunalë, lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike nga pengesat (mallrat e ekspozuara nga bizneset në trotuare, tavolinat dhe pajisjet e vendosura pa leje në hapësira publike etj.) që vështirësojnë lëvizjen e këmbësorëve, shtimin e patrullimeve në të gjithë zonën e përgjegjësisë së Stacionit Policor në Rahovec.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Rahovec, fton të gjithë qytetarët dhe pronarët e bizneseve që të bashkëpunojnë, duke respektuar rregullat e trafikut dhe duke mos uzurpuar hapësirat publike, me qëllim të evitimit të pasojave ligjore. Ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, do të ndërmerren masa përkatëse ligjore, përfshirë gjobat dhe largimin e detyrueshëm të mjeteve apo sendeve.
Siguria në trafik dhe lëvizja e lirë janë prioriteti ynë i përbashkët!
Statstikat e përgjithshme: 2026-06-01
0
Aksidentet Fatale
18
Aksidentet Me te Lenduar
21
Aksidentet Pa te Lenduar
1842
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
7
Arrestime
5
Ne Mbajtje