Mitrovicë Jug, 27 prill 2026
Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për fuqizimin e bashkëpunimit me komunitetin dhe promovimin e sigurisë publike, përfaqësues të Policisë së Kosovës nga Drejtoria Rajonale dhe Stacioni Policor Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me organizatën CBM (Community Building Mitrovica), kanë zhvilluar një takim me të rinj nga komunitete të ndryshme, me fokus në mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e vetëdijes qytetare për raportimin e dukurive negative.
Gjatë takimit janë diskutuar çështje që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit, përfshirë hedhjen e mbeturinave në vende të papërshtatshme, krijimin e deponive ilegale si dhe nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional për parandalimin dhe trajtimin e këtyre dukurive.
Në këtë takim, zyrtarët policorë prezantuan rolin e Policisë së Kosovës në identifikimin dhe trajtimin e rasteve të ndotjes së mjedisit. Me këtë rast, u promovua përsëri roli dhe rëndësia e aplikacionit “Lajmëro Policinë”, si një platformë e rëndësishme për raportim të shpejtë dhe efikas të rasteve të ndryshme, përfshirë edhe rastet që cenojnë mjedisin.