Me datën 28.04.2026, gjatë zbatimit të planit operativ “Gatishmëria vepruese 2026” dhe pas sigurimit të informatave operative në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të SP Kamenicë, njësitet e Policisë Kufitare kanë ndërmarrë një aksion të shpejtë dhe të koordinuar në fshatin kufitar Novosellë, Komuna e Kamenicës, ku kanë arritur të lokalizojnë dhe të ndalojnë një rast të kontrabandimit të mallrave që po hynin ilegalisht nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.
Pas vëzhgimit intensiv dhe ndërhyrjes në momentin e duhur, është ndaluar automjeti VW Golf 5, ngjyrë e zezë, me targa VR i drejtuar nga personi B. R., mashkull, shtetas i Serbisë, i lindur në vitin 1967, me vendbanim në Serbi, i cili dyshohet se kishte depërtuar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës me qëllim transportimin e mallrave të kontrabanduara.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, zyrtarët policorë kanë zbuluar dhe kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të duhanit të dyshuar të kontrabanduar, të markave të ndryshme, konkretisht:
310 pako duhan nga 500 gramë secila, me peshë totale rreth 155 kilogramë; 41 paketime të zbrazëta, të gatshme për tregtim ilegal.
Sasia e konsiderueshme e duhanit dyshohet se ishte destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitim të kundërligjshëm financiar.
Të gjitha veprimet operative dhe procedurale janë zhvilluar në koordinim të plotë me prokurorin kompetent, ndërsa rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar intensivisht nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare – NJHR Jugu.
Policia e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe çdo aktiviteti ilegal që cenon sigurinë dhe rendin juridik të vendit.


