Policia e Kosovës, Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda – ka realizuar një operacion policor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, si dhe në disa lokacione të tjera.
Operacioni është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll ndaj të dyshuarve lidhur me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo Autoritetit Zyrtar’’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’, nga neni 393 të KPRK-së, si dhe Legazilimi i përmbajtjes së pavërtetë’’ sipas nenit 395 të KPRK-së.
Sipas dyshimeve, të bazuara,të pandehurit A.Q., dhe N.K., në bashkëveprim dhe pas një marrëveshje paraprake, kanë përdorur një dokument të falsifikuar të titulluar ‘’Kontratë për këmbim e paluajtshmërive’’ të datës 11.02.1966. Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Gjatë hetimeve, është dyshuar se A.Q., dhe N.K., me ndihmën e personit zyrtar A.B., kanë arritur që dokumentin e falsifikuar ta paraqesin si autentik, duke vulosur dhe përfshirë në arkivat e gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare.
Po ashtu, i dyshuari A.B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim të përfimit të kundërligjshem për vete dhe persona të tjerë.
Ndërkohë, të dyshuarit B.Sh., dhe M.B., në cilësinë e personave zyrtar ne Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar ankesën e palës, përkatësisht të pandehurit N.K., duke obliguar komunën e Prishtinës që të regjistroj pronën në emër të tij.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, duke bashkëpunuar ngusht me institucionet e drejtësisë për të garantuar sundimin e ligjit dhe trajtimin e të gjitha rasteve në përputhje me legjislacionin ne fuqi. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.