Prishtinë 04 qershor 2025
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Turqisë në Prishtinë, ka realizuar me sukses një trajnim të specializuar me temën: “Luftimi i Basteve dhe Lojërave të pa Ligjshme të Fatit Online”, i cili u mbajt në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, nga data 26 deri më 30 qershor 2025.
Ky trajnim ka përfshirë 18 hetues për hetimin e krimeve kibernetike nga të gjitha rajonet policore të Kosovës, si dhe nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilët u angazhuan në një program intensiv të ndërtuar mbi përvojat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
Ligjërues në trajnim ishin dy ekspertë të lartë nga Policia e Turqisë, të cilët ndanë njohuritë e tyre të avancuara për metodat bashkëkohore të hetimit dhe parandalimit të veprimtarive të jashtëligjshme online, me fokus të veçantë në përdorimin e kriptovalutave, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë në veprimtari kriminale në nivel global.
Përmes këtij trajnimi, pjesëmarrësit u aftësuan në:
Ø Identifikimin dhe ndalimin e faqeve të internetit që ofrojnë lojëra të paligjshme të fatit;
Ø Hetimin e rrjeteve kriminale që operojnë në mënyrë anonime në internet;
Ø Gjurmimin e transaksioneve përmes kriptovalutave dhe analizën e rrjeteve financiare ilegale.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë Atasheu i Policisë dhe i Xhandarmerisë Turke, përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, si dhe eprorë të lartë të Policisë së Kosovës, duke vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e sfidave të krimit digjital.
Ky trajnim paraqet një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës dhe një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të qasjes institucionale ndaj krimit të organizuar online, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin strategjik me institucionet partnere ndërkombëtare në fushën e sigurisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe për avancimin e mëtejshëm profesional të zyrtarëve të saj, në shërbim të rendit, sigurisë dhe ligjshmërisë.