Prishtinë, 27 shkurt 2026
Njësia për Realizimin e Urdhëresave, në kuadër të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, ka realizuar me sukses arrestimin e një personi, i cili ishte në kërkim.
Personi A. Z., 35 vjeç, ishte i dënuar me 10 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë për veprën penale ‘posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’. Pas arrestimit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit sipas vendimit gjyqësor.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe riafirmon përkushtimin për garantimin e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe zbulimin e çdo vepre penale që cenon rendin dhe qetësinë publike.