Prishtinë, 14 korrik 2025
Policia e Kosovës, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, konkretisht hetues policor nga stacioni policor në Lipjan, në koordinim me Prokurorinë kompetente, kanë ndërmarrë veprime operative lidhur me një rast të dyshuar për marrje ryshfeti. Gjatë veprimeve hetimore është siguruar dëshmi relevante që çojnë në dyshimin se një zyrtar publik ( i gjendjes civile) ka kërkuar dhe pranuar para në këmbim të një shërbimi zyrtar. Policia ka ndërhyrë në momentin e pranimit të shumës së dyshuar si ryshfet dhe ka arrestuar personin në flagrancë. Tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale relevante për rastin. I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Rasti është cilësuar si “Marrje e ryshfetit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.