Prishtinë, 07 korrik 2021 Drejtori i drejtorisë rajonale të policisë së Prishtinës kolonel Fahredin Verbovci, së bashku me stafin e tij, takoi përfaqësuesit e Radio TAXI-ve, të rajonit të Prishtinës.
Në takim u diskutuan çështje të cilat ngërthejnë interesin e përbashkët nga pikëpamja e sigurisë por edhe ngritjen e bashkëpunimit të dyanshëm, me qëllim të krijimit të rrethanave optimale për aktivitet funksional, pa cenuar cilësinë e jetës së komunitetit si dhe cilësinë e mbarëvajtjes së trafikut në përgjithësi.
Në kontekstin e kësaj, megjithëqë ka vështirësi që janë prezentë, u kërkua ngritje e përgjegjshmërisë në nivelin më të lartë si dhe respektim të kodit rrugor dhe të sjelljes në trafik, veçanërisht në këtë periudhë kohore kur kemi fluks të madh të lëvizjeve dhe kërkesave.
Për më shumë policia e rajonit të Prishtinës në vazhdimësi po punon për ngritjen e bashkëpunimit me të gjithë komunitetin pa përjashtim, në secilin segment, me qëllimin final për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë.