Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

DREJTORIA RAJONALE E POLICISË – PRISHTINË

Prishtinë, 05 shkurt 2026
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm, veprimeve të koordinuara operative dhe punës intensive hetimore, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka identifikuar, ndaluar dhe proceduar personat e përfshirë në një rast të rëndë që ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.
Më datën 31.01.2026, rreth orës 15:15, Policia e Kosovës ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.
Hetimet fillestare kanë nxjerrë në pah se, pas një konflikti ndërmjet dy grupeve personash, situata ka eskaluar me përdorim armësh zjarri pranë një lokali afarist, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe pronën publike.
Pas këtij incidenti, konflikti ka vazhduar në një lokacion tjetër të qytetit, ku një veturë është përdorur si mjet rrezikimi ndaj personave, duke u shkaktuar lëndime trupore disa qytetarëve, ndërsa dyshohet edhe për të shtëna me armë zjarri nga vetura në lëvizje.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë kryer ekzaminime të plota kriminalistike dhe forenzike, me ç’ rast janë sekuestruar:
· gëzhoja dhe fragmente predhash,
· municion,
· mjete të forta, si dhe,
· vetura e dyshuar e përfshirë në rast.
Të gjitha veprimet operative dhe hetimore janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, ndërkohë që është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale:
· Vrasje në tentativë,
· Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,
· Mbajtja e paautorizuar e armëve.
Si rezultat i punës intensive hetimore:
· Janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë të përfshirë në rast.
· Janë siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera materiale.
· Janë realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme.
· Janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë me rëndësi për procedurën penale.
· Janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar; njëri prej tyre, me iniciale A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër persona të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar fuqishëm në garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike, duke mos toleruar asnjë formë dhune apo rrezikimi të jetës së qytetarëve.
Statstikat e përgjithshme: 2026-06-01
0
Aksidentet Fatale
18
Aksidentet Me te Lenduar
21
Aksidentet Pa te Lenduar
1842
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
7
Arrestime
5
Ne Mbajtje