Njësiti i Hetimeve i stacionit policor në Ferizaj, që nga muaji gusht 2025 deri në janar 2026, ka zhvilluar hetime lidhur me disa vepra penale të ndodhura kryesisht në territorin e qytetit të Ferizajt, të cilat janë cilësuar si “Vjedhje”, “Vjedhje e rëndë” dhe një rast “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Hetimet janë përqendruar në një grup personash të mitur, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer vjedhje në lokale afariste, markete dhe hapësira banesore, duke përvetësuar biçikleta, skuterë, telefona mobilë, para të gatshme, mjete pune dhe sende të tjera.
Gjatë kësaj periudhe dhe një rast në tetor të vitit 2024, Njësiti i Hetimeve ka ndërmarrë veprime të shumta hetimore, ka intervistuar shumë dëshmitarë nga vendet e ngjarjes, ka bashkëpunuar me njësi policore të rajoneve të tjera, si dhe ka analizuar pamje nga kamerat e sigurisë.
Si rezultat i hetimeve, më datë 13.01.2026, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, janë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor pesë persona të mitur të dyshuar.
Gjatë procesit të analizimit dhe krahasimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, janë identifikuar katër persona të dyshuar dhe janë zbuluar gjithsej njëmbëdhjetë (11) raste, të ndodhura në këto data dhe lokacione:
– 04.10.2024, rruga “Bajram e Gursel Sylejmani” – vjedhje
– 03.08.2025, rruga “Dimitrije Tucovic” – vjedhje
– 16.09.2025, rruga “Astrit Bytyqi” – vjedhje
– 11.11.2025, rruga “Tahir Sinani” – vjedhje
– 26.11.2025, rruga “Ahmet Kaçiku” – vjedhje
– 30.11.2025, rruga “12 Qershori” – vjedhje
– 24.12.2025, rruga “Vëllezërit Gërvalla” – vjedhje
– 30.12.2025, rruga “Ramadan Rexhepi” – vjedhje e rëndë
– 30.12.2025, sheshi “Hyrë Emini” – vjedhje
– 03.01.2025, rruga “Sadik Tafarshiku” – vjedhje
– 04.01.2026, rruga “Ahmet Kaçiku” – asgjësim apo dëmtim i pasurisë.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar një skuter dhe dy biçikleta, të cilat do t’u kthehen palëve të dëmtuara.
Të gjitha rastet janë kompletuar veç e veç dhe do të procedohen në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Veprimet hetimore janë zhvilluar nën autorizimin e prokurorit të shtetit nga Departamenti për të Mitur. Po ashtu, janë njoftuar dy Qendra për Punë Sociale dhe prindërit e të miturve të përfshirë, për procedura të mëtejme.
Duke qenë se të dyshuarit, në kohën e kryerjes së veprave penale, kanë qenë nën moshën e përgjegjësisë penale (nën 14 vjeç), ata janë dërguar në një qytet të Kosovës dhe më pas u janë dorëzuar prindërve të tyre.