Prizren, 09 Qershor 2025
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale në Prizren, ka vazhduar me angazhimet dhe aktivitetet e saj të vazhdueshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike edhe gjatë fundjavës.
Gjatë datave 07 dhe 08 qershor 2025, në tri raste të veçanta janë sekuestruar gjithsej katër armë zjarri:
• Më 07.06.2025, në fshatin Mushtisht, komuna e Suharekës, pas një rasti të raportuar për dhunë në familje, është kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë sekuestruar dy armë: një pushkë gjysmë automatike me dylbi (pa fishekë) dhe një pistoletë (pa fishekë).
• Më 08.06.2025, rreth orës 02:15, Stacioni Policor Prizren Veri ka ndërhyrë në një rast në fshatin Landovicë, komuna e Prizrenit, ku dyshohej për të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë, ndërsa i dyshuari është liruar me procedurë të rregullt.
• Po ashtu, më 08.06.2025, rreth orës 21:05, në lagjen Arbana të Prizrenit, pas pranimit të një informacioni, njësia policore ka ndaluar një person të dyshuar dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri – pistoletë me gaz.
Në lidhje me këto tri raste, dy persona janë arrestuar nga policia, ndërsa ndaj të treve është iniciuar procedurë penale për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike.