Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Njëzet e një (21) vjetori e gjen Policinë e Kosovës me njëzet e një (21) “Heronj të Kosovës“, të rënë në kryerje të detyrës

Prishtinë, 4 shtator 2020

Policia e Kosovës (PK) me datë 04 shtator 2020 në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës shënoj 21 vjetorin e themelimit të saj, e cila me 06 shtator 1999 u themelua si një ndër institucionet e para në Kosovë.

Policia e Kosovës me një ceremoni të mbajtur sipas standardeve të parapara duke iu përshtatur situatës aktuale nga pandemia, shënoj 21 vjetorin e themelimit të saj, ku të pranishëm ishin, Përfaqësuesi i Presidencës së Republikës së Kosovës z. Bashkim Smakaj, Ministri i Punëve të Brendshme z.Agim Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z.Rashit Qalaj, Ambasadori i OSCE-së z. Jan Braathu  dhe  znj. Kimberly nga ICITAP-i Amerikan, të cilët të pranishmëve iu drejtuan me nga një fjalë rasti.

Të pranishëm po ashtu ishin edhe familjarë të zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës, të cilët me rastin e 21 vjetorit të Policisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës dekoroj me urdhrin “Hero i Kosovës 19 zyrtarë policorë të rënë në kryerje të detyrës”.

Në radhët e Policisë së Kosovës janë 21 zyrtarë policorë të cilët kanë rënë në kryerje të detyrës, duke mos kursyer as jetën e tyre në ruajtje të rendit e sigurisë publike dhe parandalim të krimit, të cilët janë dekoruar me urdhrin  “Hero i Kosovës”.

Policia e Kosovës do të vazhdojë rrugëtimin e saj në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja duke iu shërbyer qytetarëve dhe vendit.

Bashkangjitur gjeni fjalimin e Drejtorit të Përgjithshëm të PK-se dhe video linkun e ceremonisë:

 

Të nderuara zonja dhe zotrinje

Sot po festojmë  21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Është kjo një ditë e veçantë për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës, për familjaret e pjesëtarëve të Policisë por edhe për gjithë qytetaret e Kosovës.

Policia e Kosovës është një nga institucionet e para të themeluara në Kosovën e pas luftës. Që nga themelimi e deri në ditët e sotme Policia e Kosovës është njëri nga institucionet që ka renditur vendin tonë si një histori suksesi në arenën ndërkombëtar si vend i ri dhe në zhvillim.

Policia e Kosovës kishte dhe ka përgjegjësi shumë të madhe në funksionimin e mekanizmave të tjerë në vend, pasi që detyra e saj është siguria e jetës dhe pronës së qytetarëve të Kosovës. Të sigurosh jetën dhe pronën e qytetarit është detyrë shumë e rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi, por të jesh në shërbim të vendit duke siguruar atë dhe banoret e saj është edhe vlerësim maksimal që shteti ta ka besuar.

Pjesëtaret e Policisë së Kosovës për gjithë këto vite kanë qenë pasqyrë e shtetit të Kosovës në të gjitha pikë kalimet kufitare dhe në secilën pjesë tjetër të vendit duke punuar 24 ore 7 ditë në javë.

Të nderuar zonja dhe zotërinjtë

Të jesh pjesëtarë i Policisë së Kosovës nuk është vetëm krenari apo privilegj, bartja e uniformes së shtetit nënkupton përgjegjësi dhe ndonjëherë edhe rrezik për vetë jetën e zyrtarit policor.

Krimi dhe kriminelët nuk e duan policinë, ata e shohin pjesëtarin e policisë dhe uniformen e tij si pengesë në rrugën e tyre kriminale.

Rrugëtimi për këto 21 vite nuk ka qenë i lehtë, ka pasur sfida të vazhdueshme. Ndërtimi i një organizate policore kredibile dhe profesionale siç edhe është Policia e Kosovës ka qenë dhe është mision i vazhdueshëm për të gjithë ne.

Të nderuara familje të Policëve të rënë në kryerje të detyrës

Jemi të nderuar që sot ju kemi këtu. Ju dhe më të dashurit tuaj që dhanë më të shtrenjtën (jetën) në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve të Kosovës jeni çdo ditë me ne. Ne i kujtojmë ata si frymëzim, përkushtim dhe devotshmëri në shërbim të vendit deri në flijim. Anëtaret e familjeve tuaja janë dhe do të jenë gjithmonë anëtar të familjes së secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Policia është një familje e madhe ku aty hynë zyrtaret policor nga e gjithë bota, sepse të jesh zyrtar policor do të thotë të jesh pran dhe me qytetarin, dhe në luftë të vazhdueshme me krimin dhe keqbërësit.

Zonja dhe zotërinjtë  

Këtë vit edhe Kosova si të gjitha shtetet e botës po ballafaqohet me një armik të padukshëm virusi COVID 19. Edhe kjo situatë Policinë e Kosovës e ka gjetur vigjilente dhe në ballë të punës duke bashkërenduar veprimet me institucionet e tjera të vendit për të shpëtuar sa më shumë jetë të qytetarëve të Kosovës dhe duke punuar në parandalimin e përhapjes së këtij virusi të tmerrshëm.

Përkushtimi i zyrtarëve policor që nga paraqitja e pandemisë në Kosovë e deri sot është vetëmohues dhe për çdo lëvdatë. Ky përkushtim më ka bërë krenarë mua dhe stafin menaxhues të policisë, këta burra dhe gra që pa me të voglin hezitim i shërbejnë vendit pa marr parasysh rrezikun.

Duke qenë në shërbim ndaj qytetarëve në luftën kundër këtij virusi të tmerrshëm  pa dyshim se ekspozimi  dhe rreziku është i madhe. Prandaj gjatë kësaj kohe kemi pasur nëntë (9) punonjës të policisë të cilët e kanë humbur betejën me COVID 19 por kanë fituar respektin në përjetësi të Policisë së Kosovës duke i shndërruar ata në heronjtë e ditëve të sotme.

Të nderuar pjesëtar të Policisë se Kosovës dhe të pranishëm  

Në këtë përvjetor për shkak të situatës së krijuar ka qenë e pa mundur të mbahen shumë aktiviteteve që tradicionalisht organizohen, por asgjë nuk e zbeh as nuk e zvogëlon rëndësinë e ditëlindjes së Policisë së Kosovës.

Në këtë ditë të veçantë nuk mund të mos kujtojmë të gjitha ata që kanë kontribuar nder vite në ngritjen dhe profesionalizimin e organizatës tonë.

Miqtë dhe Partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët edhe sot vazhdojnë mbështetjen në projektet madhore.

Policia e Kosovës do vazhdojë të jetë e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive  kriminale dhe partnerë i devotshëm për të gjitha organizatat policore rajonale dhe më gjerë.

Dhe në fund më lejoni që në emrin tim të ju urojë ditën e policisë shëndet për ju dhe familjet tuaja.

 

 

Statstikat e përgjithshme: 2024-03-18
0
Aksidentet Fatale
15
Aksidentet Me te Lenduar
26
Aksidentet Pa te Lenduar
1768
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
20
Arrestime
13
Ne Mbajtje