Në dhjetë (10) ditët e para të muajit gusht 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, përmes stacioneve policore në të gjitha komunat e rajonit, ka intensifikuar aktivitetet parandaluese dhe veprimet operative në kuadër të Planit Operativ “Sezoni Verore 2025”, me moton vetëdijesuese “Festo me zemër, jo me armë”.
Qëllimi kryesor i këtyre veprimeve ka qenë parandalimi i të shtënave festive me armë zjarri në ambiente familjare dhe publike, të cilat paraqesin rrezik të përgjithshëm për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, policia ka arritur të identifikojë raste konkrete të përdorimit të armëve zjarri, ku: Janë arrestuar disa të dyshuar si dhe janë sekuestruar gjithsej 11 armë zjarri (7 pistoleta dhe 4 pushkë), është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e municionit
Ndaj të gjithë të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale për veprat: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në parandalimin e veprave penale, me theks të veçantë në parandalimin e keqpërdorimit të armëve zjarri, që në raste të tilla mund të rezultojë me pasoja të rënda për qytetarët.
Bashkëpunimi me qytetarët mbetet kyç për suksesin e përbashkët në krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë.