Policia e Kosovës, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, mori pjesë në një punëtori profesionale të organizuar nga Policia Federale Gjermane në qendrën e saj kryesore të edukimit në Eschwege.
Aktiviteti, i zhvilluar në kuadër të projektit evropian “EU-ISF SCOPE III -Virtual Classroom”, kishte në fokus modernizimin e edukimit policor përmes platformave digjitale dhe klasave virtuale.
Punëtoria trajtoi metodat më moderne të mësimit elektronik (E-Learning) dhe trajnimit hibrid, me qëllim integrimin e tyre në programet e trajnimit të Policisë së Kosovës.
Ky bashkëpunim kontribuon në rritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin teknologjik dhe avancimin e standardeve policore.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohje të thellë ndaj Republikës Federale të Gjermanisë, Policisë Federale Gjermane për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik.
Modernizimi i platformave të trajnimit dhe edukimit profesional policor mbetet një prioritet kyç për zhvillimin e kapaciteteve në të gjitha fushat e sigurisë.