Dy zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, nënkolonel Fatos Haziri – shef i Hetimeve Rajonale në DRP Prishtinë dhe major Bekim Bislimi – drejtor i Policisë së Kryeqytetit, po marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare ‘Capital Policing Europe Conference 46th’, e cila po mbahet në Helsinki.
Kjo konferencë mbledh përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, me fokus diskutimi temat më aktuale që ndërlidhen me sigurinë publike dhe sfidat globale të sigurisë.
Gjatë punimeve të konferencës po trajtohen çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit të narkotikëve, krimit kibernetik, si dhe menaxhimin e kërcënimeve dhe rreziqeve bashkëkohore ndaj sigurisë publike.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Policisë së Kosovës në këtë konferencë ndërkombëtare është dëshmi e përkushtimit institucional për ngritjen profesionale, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe shkëmbimin e përvojave me partnerët ndërkombëtarë në funksion të avancimit të sigurisë dhe rendit publik.
Përmes pjesëmarrjes në aktivitete të tilla profesionale, Policia e Kosovës vazhdon të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve të saj profesionale dhe në thellimin e bashkëpunimit me institucionet homologe ndërkombëtare në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.