Mitrovicë Jugu, 20 maj 2026
Në kuadër të aktiviteteve vetëdijesuese për parandalimin e dhunës në familje, përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jugu në bashkëpunim me OJQ Qendra-Së bashku, kanë marrë pjesë në një punëtori informuese për personat me aftësi të kufizuara.
Gjatë aktivitetit është diskutuar për format e dhunës në familje, pasojat që ajo shkakton, rëndësinë e raportimit dhe mekanizmat mbrojtës për viktimat e dhunës. Gjithashtu është vënë theks i veçantë te nevoja për mbështetje dhe mbrojtje të vazhdueshme të këtij komuniteti, i cili konsiderohet ndër më të ndjeshmit ndaj formave të ndryshme të dhunës.
Në këtë aktivitet nga policia kanë marrë pjesë përfaqësuese të sektorit të dhunës në familje në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Jugu, të cilat kanë informuar pjesëmarrësit lidhur me dukurinë e dhunës në familje dhe masat parandaluese ndaj saj.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për fuqizimin e bashkëpunimit me komunitetin dhe shoqërinë civile në të gjitha aktivitetet që kanë për qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprave penale.