Vushtrri, 13 Qershor 2025
Sot, me datë 13.06.2025 policia në Vushtrri është njoftuar per një rast ku dy persona me një automjet motorik me katër rrota, kishin përcjellë nëpër rrugë të ndryshme të qytetit të Vushtrrisë ankuesen femër shtetase e Republikës së Kosovës, gjë e cila kishte shkaktuar frikë dhe shqetësim te ankuesja.
Me të pranuar informatën, njësitet policore ishin vënë në kërkim të personave të dyshuar, ndërsa më vonë pas marrjes së urdhër-kontrollit, njësitet policore të Stacionit Policor Vushtrri dhe hetues të Njësisë së Hetimeve Rajonale në kuadër të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Jugu, kanë realizuar kontroll në vendbanimin e personave të dyshuar me ҫ’rast kanë arrestuar dy personat e dyshuar.
Këtij rasti, dyshohet se i ka paraprirë një incident i disa ditëve më parë në mes të familjes së të dyshuarve dhe bashkëshortit të ankueses, rast i cili është proceduar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Pas intervistimit dhe veprimeve tjera hetimore, me vendim të prokurorit ndaj të dyshuarve është inicuar rasti për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale ,,Ngacmim’’, është sekuestruar mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale e gjithashtu me vendim të prokurorit, të dyshuarit A.G. 19 vjeҫar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh ndersa i dyshuari i mitur K.H. 17 vjeҫar është liruar në procedurë të rregullt.