Në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj u prezantua raporti vjetor i punës për vitin 2025 nga Drejtori Rajonal, Nënkolonel Faton Pllana, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Kolonel Fehmi Hoti, si dhe Drejtorit të Departamentit të Rendit Publik, Nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Takimi nisi me një minutë heshtje në nderim të Rreshterit Muhamed Lika, i rënë në krye të detyrës.
Drejtori Rajonal, Nënkolonel Faton Pllana, gjatë prezantimit theksoi se viti 2025 ka qenë sfidues, por me rezultate të prekshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë në shkolla, sigurinë në komunikacion, parandalimin e veprave penale dhe menaxhimin e situatave emergjente, si dhe angazhimin e njësive policore edhe jashtë rajonit të Ferizajt.
Po ashtu, ai veçoi bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe me komunitetin, si dhe faktin që Stacioni Policor i Ferizajt është renditur i pari në nivel vendi për kohën e reagimit.
Raportin e punës e shpalosi në detaje Major Avni Uruqi, Shef i Sektorit Rajonal për Operativë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, falënderoi dhe vlerësoi punën e menaxhmentit të Policisë Rajonale në Ferizaj dhe angazhimin e të gjithë pjesëtarëve të policisë, duke theksuar se rezultatet e arritura janë dëshmi e profesionalizmit dhe përkushtimit të vazhdueshëm.
Ai gjithashtu dha rekomandime dhe udhëzime strategjike për vitin 2026, me fokus në rritjen e efikasitetit, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e mëtejmë të sigurisë publike.
Në fund, u ritheksua përkushtimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj për të vazhduar ofrimin e shërbimeve profesionale dhe në interes të qytetarëve.



