Prishtinë, 22 maj 2025 – Dje rreth orës 00:45, sipas një denoncimi të pranuar në polici, ishte pretenduar se, në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë, një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar dhe pas rreth një ore ishte liruar. Përgjatë incidentit në tentativë për të parandaluar rastin ishte lënduar lehtë edhe nëna e viktimës.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë relevante të hetimeve të stacionit policor në Fushë Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ndërmorën një sërë veprimesh të menjëhershme hetimore, duke përdorur të gjitha kapacitetet profesionale dhe teknike për zbardhjen e rastit.
Si rezultat i hetimeve intensive, veprimeve të koordinuara policore, analizave të detajuara, si dhe verifikimeve të kryera, është arritur të konfirmohet se nuk ka pasur asnjë rrëmbim të vërtetë, por kemi të bëjmë me një kallëzim të rremë.
Policia në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore që dalin nga ky rast.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin, dhe në të njëjtën kohë apelon tek qytetarët që të shmangin deklarimet dhe veprimet mashtruese, si dhe inkurajon secilin që të raportojë rastet me përgjegjësi, duke qenë të sigurt se çdo informacion trajtohet me seriozitet të plotë dhe profesionalizëm të lartë.