Sot, më datë 13.07.2025, rreth orës 11:20, Policia Rajonale e Ferizajt është njoftuar se në Emergjencën e qytetit po trajtohej një person i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku.
Patrulla policore ka shkuar menjëherë në qendrën emergjente, ku ka kontaktuar me stafin mjekësor dhe me të lënduarin, Sh. K., 38 vjeç
Nga informacionet e siguruara, aksidenti kishte ndodhur në aksin rrugor Gaçkë–Burrnik, në fshatin Burrnik, ku ishin përfshirë dy automjete – njëra me targa vendore dhe tjetra pa targa.
Në vendin e ngjarjes është angazhuar Njësia e Trafikut Rajonal, e cila gjatë ekzaminimit të veturës pa targa ka zbuluar në pjesën e pasme të saj një armë zjarri (pistoletë).
Arma është konfiskuar nga njësitë hetimore dhe forenzike, ndërsa i dyshuari është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.”
Hetimet janë në vazhdim, si për aksidentin e trafikut ashtu edhe për çështjen e armës dhe për veprimet e mëtejme do të njoftoheni me raport shtesë.