Sot, më datë 10 prill 2026 u mbajt ceremonia e përurimit të nënstacionit policor në Komoran, një projekt me rëndësi të veçantë për avancimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve policore ndaj qytetarëve.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, Kryetarin e Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, përfaqësues institucionalë, eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Përurimi i këtij nënstacioni përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale të Policisë së Kosovës si dhe thellon bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin në këtë zonë.
Me këtë rast, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës i ndau letërfalënderim Kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij projekti.