Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Prezantohet Raporti Vjetor 2025 i Departamentit të Burimeve Njerëzore

Prishtinë, Mars 2026
Më 02.03.2026 u prezantua Raporti Vjetor 2025 i Departamentit të Burimeve Njerëzore të Policia e Kosovës. Raporti pasqyron punën, arritjet dhe prioritetet e departamentit gjatë vitit 2025, duke ofruar një përmbledhje të qartë të progresit institucional dhe objektivave të realizuara.
Gjatë vitit 2025, Departamenti ka shënuar rezultate të rëndësishme në menaxhimin e burimeve njerëzore, përmes avancimit të sistemit të menaxhimit dhe forcimit të mekanizmave të brendshëm. Proceset e rekrutimit janë zhvilluar në mënyrë efikase dhe transparente, duke garantuar përzgjedhje meritore dhe profesionale. Njëkohësisht, është rritur cilësia dhe përmbajtja e programeve trajnuese, janë forcuar kapacitetet profesionale të stafit dhe është thelluar digjitalizimi i proceseve administrative dhe trajnuese, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies institucionale.
Gjatë kësaj periudhe janë rekrutuar dhe trajnuar gjenerata të reja zyrtarësh policorë, si dhe janë zbatuar programe të specializuara në fusha prioritare, përfshirë hetimet, sigurinë kibernetike, inteligjencën dhe operacionet policore. Po ashtu, është zgjeruar dhe konsoliduar bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë dhe vendorë.
Në këtë kuadër, Divizioni i Trajnimeve, me përkrahjen e partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, gjatë vitit 2025 ka realizuar gjithsej 1,252 aktivitete trajnuese me 11,829 pjesëmarrës. Këto aktivitete kanë përfshirë trajnime të brendshme, trajnime jashtë vendit, si dhe procese të ricertifikimit, duke kontribuar ndjeshëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe në përmbushjen e standardeve operative.
Një fokus i veçantë gjatë vitit 2025 i është kushtuar mirëqenies së personelit, përmes ofrimit dhe forcimit të mbështetjes shëndetësore dhe psikologjike për zyrtarët policorë dhe stafin civil. Janë zhvilluar mekanizma mbështetës për trajtimin e stresit profesional, këshillimin psikologjik dhe promovimin e shëndetit në vendin e punës, me synim ruajtjen e performancës, integritetit dhe stabilitetit emocional të personelit.
Mirënjohje e veçantë u shpreh për partnerët që kanë mbështetur vazhdimisht Departamentin në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Falë përkrahjes së tyre është mundësuar realizimi i një numri të konsiderueshëm trajnimesh dhe programesh të specializuara, të cilat kanë kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin profesional dhe ngritjen e kompetencës së zyrtarëve policorë, si dhe në forcimin e standardeve institucionale.
Departamenti ka menaxhuar me efikasitet të gjitha proceset e personelit, përfshirë rekrutimin, vlerësimin e performancës, mbështetjen shëndetësore dhe psikologjike, si dhe organizimin e aktiviteteve profesionale brenda dhe jashtë vendit. Vëmendje e veçantë i është kushtuar integritetit institucional, barazisë gjinore dhe mirëqenies së personelit, me qëllim forcimin e standardeve profesionale dhe rritjen e besimit të publikut.
Raporti paraqet gjithashtu sfidat e hasura dhe objektivat strategjike për vitin 2026.
Në kuadër të prezantimit të raportit, Departamenti i Burimeve Njerëzore ndau mirënjohje për zyrtarë që kanë kontribuar në mënyrë të veçantë në zhvillimin profesional, ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e standardeve organizative.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një sistemi transparent, profesional dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të burimeve njerëzore, në funksion të rritjes së sigurisë publike dhe shërbimit ndaj qytetarëve.



Statstikat e përgjithshme: 2026-06-01
0
Aksidentet Fatale
18
Aksidentet Me te Lenduar
21
Aksidentet Pa te Lenduar
1842
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
7
Arrestime
5
Ne Mbajtje