Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Shënohen një sërë aktivitetesh në Ditën përkujtimore të heronjve të Policisë së Kosovës

Prishtinë, më 26 korrik 2025
Sot, personalitete të larta shtetërore dhe stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës (PK), kanë bërë homazhe pranë lapidarit të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës zyrtare. Kjo ditë e veçantë përkujtimore shërben si një mundësi për të kujtuar dhe për të nderuar heronjtë tanë që kanë dhënë jetën në mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, vendosën kurora me lule dhe përkujtuan e nderuan sakrificën e zyrtarëve policorë që kanë dhënë jetën e tyre duke i shërbyer qytetarëve dhe vendit.
Pas vizitës në familjen e Rreshter Muhamed Lika, vendosjes së kurorave pranë “Pllakës Përkujtimore Për Policët e Rënë në Krye të Detyrës” në DPP Prishtinë, personalitetet e larta shtetërore, së bashku me stafin e lartë të PK-së, vizituan familjen e heroit Rreshter Afrim Bunjaku, familjen e heroit Enver Zymeri si dhe bënë homazhe pranë lapidarit të heroit Bunjaku dhe të heroit Zymeri në veri të vendit ku ra heroikisht.
Në kuadër të shënimit të ditës përkujtimore të heronjve të Policisë së Kosovës, kanë vazhduar së realizuari një sërë aktivitetesh, si: hapja për homazhe (ora 10:00-16:00) pranë Pllakës Përkujtimore të Policëve të Rënë në Krye të Detyrës që gjendet në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, pastaj aktivitete sportive që kanë përfshirë: ecje, çiklizëm, vozitje me motorë dhe gara me kayak. Marshutat e ekipeve kanë përfshirë zona/komuna nga jugu drejt veriut të Republikës së Kosovës, përmes vendit të rënies së heroit Enver Zymeri, Varage-Zubin Potok.
Në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen dhe kontributin në aktivitetet përkujtimore të ‘Ditës Memoriale’ për zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës, si dhe 14 vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri, Ministri i Punëve të Brendshme z.Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Kolonel Hoxha, do të ndajnë letër falënderime për të gjithë pjesëmarrësit.
Po ashtu në shenjë nderimi për zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës zyrtare, në orën 21:00 do të bëhet ndriçimi i ndërtesës së Qeverisë së RKS-së.
Zyrtarët e rënë në krye të detyrës janë heronjtë e Republikës sonë dhe kontributi e sakrifica e tyre do të mbeten kujtim i përjetshëm në historinë e Policisë së Kosovës dhe të gjithë vendit tonë.

Statstikat e përgjithshme: 2026-06-01
0
Aksidentet Fatale
18
Aksidentet Me te Lenduar
21
Aksidentet Pa te Lenduar
1842
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
7
Arrestime
5
Ne Mbajtje